Paraditen e sotme kanë rinisur punimet në ndërtimin e kishës “Shën Kostandini dhe Elena” në Qendër të Shkupit, përcjell TV21. Në oborrin e kishës sot shihen eskavatorë dhe kamionë, të cilët po e pastrojnë terrenin. Ndërtimi i kësaj kishe filloi gjatë vitit 2012 nga Fondacioni “ Shën Mbreti Konstatin”, ndërsa pritej të përfundonte për 3 vjet, por ndaloi për shkak të borxheve që kishte ky fondacion.
Në shtator të vitit 2021, drejtorja e spitalit Remedika, Elica Jordanova, e cila është bashkëshortja e biznesmenit Minço Jordanov, e mori objektin e kishës si dhe borxhet prej rreth 4.5 milion eurove që janë bërë ndaj kompanisë Beton, e cila ka realizuar punët ndërtimore. Jordanova për TV21 pati deklaruar se të gjitha obligimet për ndërtimin e kësaj kishe i ka marrë Kisha Ortodokse Maqedonase.
Ndërtimin e kishës vazhdimisht e kanë ndjekur polemika, së pari përmes shitjes së tokës shtetërore që KOM e ka blerë me çmim prej 1800 denarëve për metër katror, më pas përmes tubimeve të mbajtura të biznesmenëve por edhe bankarëve, prej të cilëve u kërkua që të dhurojnë mjete dhe në këtë mënyrë të financohet ndërtimi. U mbajtën tre konferenca për donacione të organizuara nga kryeministri i atëhershëm Nikolla Gruevski, ku u mblodhën rreth 2 milion euro.