Me diell dhe shumë ngrohtë deri të premten, pas së cilës pritet rënie të temperaturave. Niveli i rrezikut portokalli do të jetë aktiv gjatë gjithë javës, prandaj duhen respektuar masat për t’u mbrojtur nga moti shumë i nxehtë.
Sot do të mbaj mot me diell dhe shumë i ngrohtë, pasdite me vranësira lokale të ulëta deri në mesatare. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtime të ndryshueshme.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej 13 deri në 22, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 36 deri në 43 gradë. Indeksi UV do të ketë vlerën 10.
Në Shkup do të jetë me diell dhe shumë ngrohtë. Temperatura minimale do të zbresë deri në 21, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri në 41 gradë.
Sipas parashikimit të Entit Hidrometeorologjik, mot i ngjashëm do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me temperaturë maksimale ditore që kudo do të jetë mbi 30 gradë, e disa vende do të kalojë 40 gradë, për këtë arsye niveli portokalli do të jetë aktiv deri në në fund të javës së punës.
Pritet që të premten pasdite të ketë reshje lokale të rrëmbyeshme, bubullima dhe erë të fortë, ndërsa temperatura ditore do të ulet gradualisht.
Instituti i Shëndetit Publik rekomandon që qytetarët në këto ditë jashtëzakonisht të nxehta të mbajnë me vete një shishe me ujë, të veshin rroba të lehta, të ndritshme dhe komode, të bëjnë dush me ujë më të freskët ose të vakët kur ndjejnë nxehtësi, të mbajnë kapele ose çadër për mbrojtje.
Flini mjaftueshëm, hani fruta dhe sallata, shmangni alkoolin, kafenë, çajin, si dhe ushqimet e nxehta, pikante dhe të kripura që mund të dehidratojnë.
Për shkak të valës së të nxehtit që përfshiu vendin, Qeveria vendosi që gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç të lirohen nga puna deri të enjten.
Punëdhënësve u rekomandohet të riorganizojnë aktivitetet e punës për të shmangur ndërtimet dhe aktivitetet e tjera fizike në natyrë ndërmjet orës 11:00 dhe 17:00, dhe kopshtet nuk duhet t’i nxjerrin fëmijët jashtë gjatë asaj periudhe të ditës.(INA)