Kthimi i mërgimtarëve në vendlindje ka detyruar autoritetet lokale që të aktivizohen që të mos ketë kaos në trafik, pasi që përvoja nga e kaluara nuk është e mirë, kur dihet se Tetova gjithnjë vuan për bulevarde të reja, rrugë më të gjëra dhe mungesë të vendeve të parkimit. Së këndejmi, komuna e Tetovës në bashkëpunim me ndërmarrjen Parkingu i Qytetit, ka vendosur që të shkurtojë orarin e parkimit zonal për dy orë respektivisht tani koha e parkimit do të jetë nga ora 07:00 deri në ora 21:00, dy orë më herët se zakonisht. Tashmë të gjithë qytetarët pas orës 21:00 mund ta shfrytëzojnë parkimin pa pagesë sepse dhe merimanga e qytetit nuk do të punojë, por luten qytetarët që mos t’i parkojnë veturat e tyre në trotuare dhe në vende ku pengojnë qarkullimin e lirë të qytetarëve, njoftojnë nga komuna e Tetovës.
“Ky vendim do të filloj nga 15 i këtij muaji deri në 15 gusht. Po ashtu tashmë oborret e shkollave në Tetovë janë të lira dhe parkimi është falas. Duke nisur nga ky fakt drejtuesit e automjeteve do ishte mirë që të parkojnë veturat e tyre në këto parkingje që të shmangim kaosin në komunikacion. Tani është koha kur mërgimtarët tanë janë për pushime në vendlindje dhe në shenjë respekti dhe nderimi kemi vendosur të shkurtojmë orarin e parkimit me pagesë. Në anën tjetër për të lehtësuar edhe më shumë trafikun e qytetit, Komuna e Tetovës në bashkëpunim me Sektorin e Punëve të Brendshme Tetovë, do të punojë vazhdimisht në ruajtjen e rendit dhe rregullimin në rrugë për të shmangur kaosin në qytet”, tha Besarta Ramadani, zëdhënëse e komunës së Tetovës.