Vapa nuk do të pushojë as këtë javë. Drejtoria për Çështje Hidrometeorologjike paralajmëron se temperaturat e larta do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, transmeton Portalb.mk.
Nga e enjtja pasdite do të rifillojnë shirat e rrëmbyeshëm me bubullima dhe erë, por temperaturat nuk do të kenë rënie. Faza portokalli do të vazhdojë edhe këtë javë dhe do të zbatohen të gjitha rekomandimet për mbrojtjen e qytetarëve. DPHM paralajmëron gjithashtu se vlerat e rrezatimit UV në ditët në vijim do të jenë shumë të larta.
“Periudha e motit me diell dhe shumë të nxehtë vazhdon me temperaturë maksimale ditore që do të jetë mbi 30°C, dhe në disa vende do të kalojë 40°C, për këtë arsye niveli portokalli për rrezikun e temperaturave të larta do të jetë aktiv, deri në fund të javës. Ndryshim të motit do të ketë ditën e premte, dhe pasdite do të ketë reshje lokale të rrëmbyeshëm, bubullima dhe erë të fortë”, njofton DPHM.
Temperaturat maksimale sot do të arrijnë deri në 43 gradë celsius në pjesët jugore të vendit, ndërsa në Shkup deri në 41 gradë. Të martën dhe të mërkurën do të mbajë mot me diell dhe shumë i ngrohtë me temperatura deri në 43 gradë.Të enjten temperaturat do të zbresin deri në 42 gradë, ndërsa në zonat malore do të fillojë paqëndrueshmëria e motit, ku do të bien reshje të rrëmbyeshme me bubullima.
Ditën e premte do të mbajë mot me diell, me temperaturë deri në 40 gradë, ndërsa pasdite do të ketë reshje të dendura shiu, bubullima dhe erë të fortë.