Nën ndikimin e një mase ajrore shumë të nxehtë nga jugu, vazhdon periudha e motit me diell dhe shumë të ngrohtë, përveç të dielës ku pasdite do të ketë kushte për jostabilitet të izoluar me reshje të dendura shiu dhe bubullima, njofton Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike e Maqedonisë së Veriut.
Temperatura ditore kudo do të jetë mbi 30 gradë Celsius, e disa vende do të kalojë 40 gradë Celsius.
“Veçanërisht vapë do të jetë nga e enjtja deri në mesin e javës së ardhshme, kur në disa vende do të aktivizohet niveli i portokallit për rrezikun e temperaturave të larta”, njoftoi DPHM.
Nëse vendi hyn në fazën portokalli, plani i veprimit i Qeverisë parashikon:
- Përjashtim nga detyrimet e punës për grupet më të rrezikuara të popullsisë, p.sh.: gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç;
- Në ambientet e kujdesit për fëmijët (kopshtet) nuk duhet të praktikohet aktiviteti fizik dhe fëmijët të mos dalin jashtë në periudhën nga ora 11:00 deri në orën 17:00;
- Njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për Çështje Sociale, në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit, të ofrojnë ndihmë për personat e vetmuar, të moshuar, të pafuqishëm, të pastrehë;
- Duke pasur parasysh faktin se disa procese të rrezikshme prodhimi dhe teknologjike mund të përbëjnë një rrezik shtesë për shëndetin e punëtorëve të ekspozuar, punëdhënësve u kujtohet detyrimi i tyre për të respektuar rregulloret ligjore në këtë fushë.