Lajme nga vendi
Bujqit shprehen se do heqin dorë nga bujqësia, mungon ndihma Gruri sivjet në Maqedoni, pak e me cilësi të dobët
Rritja ë çmimit të naftës dhe plehrave artificial nga njëra anë, kurse ndihma e vogël e shtetit dhe mungesa e fuqisë punëtore nga ana tjetër kanë bërë që bujqit gjithnjë e më shumë të largohen nga bujqësia. Në prag të fillimit të sezonit të korrjes së grurit, bujqit janë ankuar se hasin në vështirësi të mëdha për të mbijetuar. Kurse, problem në vete janë edhe ndryshimet klimatike të cilët pamundësojnë që bujqit të mos marrin atë që edhe e mbjellin, sepse shpesh herë dëmtohen të gjitha prodhimet nga reshjet e shiut dhe të breshrit.
“Bujqit shprehen se do heqin dorë nga bujqësia, mungon ndihma, por mungojnë edhe punëtorët. Sipas tyre kohëve të fundit ekzistenca nuk mund të sigurohet nga toka. “Subvencione për grurin për dikë ka e për dikë jo. Ne kemi tokat me qira, dhe nuk na japin subvencione sepse si kemi gjitha tokat tona. Nuk na kanë madje as subvencionet për qumështin nga 2021, për dhentë nuk na kanë dhënë por ja e shtyjmë me zor sa mundem. Punëtorë nuk kemi aspak, ja mundohem me djalin dhe një djalë nga fshati. Familjarisht mundohemi. Nuk mendoj të vazhdoj më me bujqësi sepse plehrat janë shtrenjtë, thasët shtrenjtë nafta e pjesët e makinave shtrenjtë dhe nuk mbulohen assesi as harxhimet. Unë i kam bë 45 vjet por djali im 17 vjeç nuk do e vazhdoj këtë punë, sepse në fund nuk na del aspak llogaria”, thotë Gazmend Sejdiu, bujk nga rajoni i Pollogu.
Zakonisht në rajonin e Pollogut, janë rreth 5 mijë bujq që mbjellin grurë. Ata në të kaluarën kanë marrë edhe nga gjashtë mijë kilogram grurë për një hektarë, kurse viteve të fundit dukshëm ka rënë rendimenti. Në njësinë rajonale të Ministrisë së Bujqësisë thonë se të mbjellat krahasuar me vitin e kaluar janë pothuajse të njëjta. Mirëpo, për shkak të motit të keq rendimenti këtë vit do të jetë shumë më i dobët. Shkaku nuk është vetëm situata e fundit me bujqit, por edhe reshjet e shiut në stinën e pranverës kur shumë pak ditë kishte me diell dhe kjo ka ndikuar dukshëm që bujqit të marrin më pak grurë. “Nëse llogarisim motin, më shumë i bie se kemi pas reshje shiu dhe kjo ka ndikuar në rënie të rendimentit. Nëse ka dhënë nga 3500 – 4000 kilogram grurë për hektar, sivjet me reshjet e fundit dhe dëmet që ka bërë breshëri tek kokrrat e grurit, rendimenti do jetë shumë më i vogël, apo deri në 3500 kilogram për hektar. Në disa pjesë ku nuk ka pas breshër rendimenti do jetë nga 3500 – 4700 kilogram për hektar”, tha Afrim Sejrani, shef i Njësisë Rajonale të Ministrisë së Bujqësisë.
Tashmë në disa rajone ka filluar korrja e grurit, ndërsa pritjet e bujqve ishin të mëdha për këtë vit, por reshjet e fundit kanë bërë që gruri të ketë më pak rendiment se sa viteve të kaluara. Në këtë drejtim, bujqit pohojnë se nëse vazhdohet ky trend, që edhe më tej të mungojë ndihma nga shteti atëherë bujqësia në rajonin e Pollogut do të shuhet tërësisht, sepse askush nuk do të merret. TV KOHA
Lajme nga vendi
VLEN: BDI t’i kërkojë SPAK-ut të Shqipërisë ekstradimin e Grubit
Nisma e Degës së Bashkimit Demokratik për Integrim në Çair për krijimin e një “SPAK-u” lokal kundër korrupsionit ka nxitur reagime nga Koalicioni VLEN.
Nga VLEN-i thonë se iniciativa duhet të shoqërohet me veprime konkrete dhe jo të mbetet vetëm deklarative, duke e cilësuar si përpjekje propagandistike.
Sipas tyre, nëse synohet vërtet transparencë dhe përgjegjësi, hetimet duhet të nisin nga vetë drejtuesit e BDI-së, për të dëshmuar se bëhet fjalë për proces serioz dhe të paanshëm ndaj të gjithë zyrtarëve, pa përjashtim.
“BDI në Çair shpall me bujë formimin e një “SPAK-u” lokal, sikur të kishte zbuluar “Amerikën”. Por, pyetja që lind menjëherë është: a do ta kapë ky SPAK edhe kryesinë e vet? Apo është vetëm një teatër i radhës për të mashtruar qytetarët? VLEN-i e përshëndet këtë “SPAK” të BDI-së dhe i sugjeron që, nëse vërtet është për veprim dhe jo për spektakël, të fillojë hetimet pikërisht nga këta emra. Punën e parë që duhet ta bëjë është të vendosë komunikim me SPAK-un e Shqipërisë dhe të kërkojë ekstradimin e Artan Grubit.”, – thanë nga Koalicioni VLEN.
Ditë më parë, Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim në Çair themeloi një “SPAK” lokal si mekanizëm kundër korrupsionit. Sipas njoftimit, kjo strukturë do të monitorojë ndërtimet pa leje dhe punën e organeve komunale për shkelje urbanistike.
BDI u bëri thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo keqpërdorim të pushtetit. (Armend Murseli, TVM2)
Lajme nga vendi
Dega e BDI-së në Çair ka themeluar një strukturë kundër korrupsionit me emrin “SPAK”
Duke huazuar emrin e Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë që ndjek krimin dhe korrupsionin e nivelit të lartë, dega e BDI-së në Çair ka themeluar një Sekretariat, akronimi i të cilit është i njëjtë me atë të Prokurorisë – SPAK.
“SPAK do të funksionojë si mekanizëm profesional monitorimi, i përbërë nga ekspertë vullnetarë – juristë, ekonomistë, urbanistë dhe profesionistë të fushave përkatëse – të cilët do të analizojnë çdo indikacion për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve publike”, deklaroi Enard Bakiu, BDI – Çair.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i koalicionit VLEN të cilët kërkojnë që SPAKU i BDI-së të kërkojë nga SPAKU i Shqipërisë ta ekstradojë Artan Grubin, funksionarin e BDI-së i cili pasi u fut në listë të Zezë u arratis nga shteti, ndërsa dyshimet janë se fshihet në Shqipëri. Plotësisht kërkojnë të hetohen dhe figura tjera të BDI-së.
“Korrupsioni nuk është thjesht ndërtim pa leje apo tender komunal. Ai ka fytyra të njohura: Faton Ahmeti, për dyshimet e keqpërdorimit të fondeve në FSSH, Arbër Ademi, si ministër i Arsimit me lëndë të hapura për abuzime, Bujar Osmani, për rastin famëkeq “Pacienti”, dhe shumë të tjerë që sot ulen në kryesinë e BDI-së si të paprekshëm”, thonë nga VLEN.
SPAKU i BDI-së, është ironizuar edhe për faktin që në periudhën e kaluar ishte në shënjestër të kritikave pasi dy funksionarët e saj Artan Grubi dhe Ramiz Merko u futën në Listë të Zezë për korrupsion, ndërsa u dorëzuan padi edhe kundër një sërë funksionarëve, duke përfshirë Blerim Bexhetin, Fatmir Deharin, Ramiz Merkon, Bujar Dardhishtën, Kreshnik Bekteshin, Bekim Maksutin, Ejup Rustemin e të tjerë. Mekanizmi SPAK, mbase duket si ide e huazuar nga LSDM, e cila e promovoi Qendrën Hulumtuese për Korrupsion dhe Krim të Organizuar me akronimin MICKO, një shkurtesë që përdoret në komunikimin jokonvencional dhe ironizues për Mickoskin. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
KEMM: 140 ANKESA PËR CEREMONINË MORTORE NË KOÇANË
Këshilli I Etikës në media të Maqedonisë, një ditë pas ceremonisë mortore të viktimave të zjarrit tragjik në diskotekën e Koçanit, ka pranuar 140 ankesa lidhur me mënyrën e raportimit të mediave – ka njoftuar Drejtorja Ekzekutive, Biljana Georgievska.
Ajo ka shtuar se të gjitha vërrejtjet kanë ardhë nga e-maile të hapura për një përdorim nga numra telefonike që nuk ekzistojnë.
“Çdo minutë vinte nga një ankesë që për ne ishte një situatë jo e zakonshme që I gjasonte një sulmi të orkestruar digjital, jo vetëm ndaj KEMM-it, por edhe ndaj mediave, vecanërisht për përmbajtjet dhe mënyrës së raportimit për ceremoninë e varrimit. Ata kryesisht hynë në pakon e ankesave pa bazë, për shkak se kishin të bëjnë me mediat e huaja, nga rajoni, por edhe televizione nga India” – thotë Georgievska.
Në vitin 2025 në KEMM knë mbërritur shumë ankesa që lidhen me tragjedinë në Koçanë. Janë shqyrtuar 96 mha 244 ankesat.
Më së shpeshti është shkelur nëni 1 I Kodit të Gazetarëve – mungesa e burimeve dhe mungesa e palës së dytë të storjes.
Nga KEMM thonë se mediat online paraqiten si shkelësit më të mëdhenj të standardeve për informim etik.

