Lajme nga vendi
PAS PARALEJMËRIMEVE PËR TË RESHURA TË RËMBYESHME, DPHM-JA ME APEL PËR KUJDES NË DISA RAJONE DHE ZONA TË CAKTUARA

Pas paralajmërimeve për reshje në tërë territorin e vendit, e duke marrë parasysh se tokat dhe terreni janë relativisht të lagështa, nga DPHM-ja paralajmërojnë se gjatë natës do të ketë nevojë për kujdes në disa rajone, si dhe lëvizje të kujdesshme përgjatë lumenjve më të vegjël dhe zonave të thata dhe vendeve ku ka rrezik për rrëshqitje të dheut.
Nga Sektori për hidrologji pranë Drejtorisë për punë hidrometeorologjike, për kujdes bëjnë thirrje në rajonin e Shkupit, Kumanovës, Pallankës, Kratovës, Probishtipit, Kamenicës dhe Koçanit, në rajonin e Sveti Nikollës, Shtipit, Strumicës dhe Velesit, si dhe në rajonin e Grupçinit, Sopishte.
“Në pajtim me paralajmërimet e sinoptikëve se gjatë natës në shumë vende do të jetë mot i paqëndrueshëm me reshje të rrëmbyeshme të shiut dhe bubullimë dhe se lokalisht do të ketë stuhi me reshje të forta shiu, erë të fortë dhe breshër, në Sektorin për hidrologji kemi analizuar rezultatet nga modelet e qasshme dhe arritëm në përfundimin se nëse proceset janë intensive dhe nëse bie sasi e madhe shiu lokalisht në një kohë të shkurtër në vende të caktuara, është e mundur që të ketë një rrjedhje të përshpejtuar të ujit në lugina dhe lumenjtë e vegjël, ndërsa në lokacione të caktuara mund të paraqiten probleme lokale”, thuhet në kumtesën e DPHM-së.
Paraprakisht nga DPHM-ja paralajmëruan se në dy ditët në vijim do të mbizotërojë mot i ndryshueshëm, i vranët dhe i freskët me reshje të rrëmbyeshme dhe bubullima lokale. Nesër përgjatë Vardarit do të fryjë erë e fortë veriore, ndërsa nga e premtja do të mbajë mot stabil dhe i nxehtë.
Pasdite dhe gjatë natës në shumë vende moti do të jetë jostabil me reshje të rrëmbyeshme dhe bubullima. Lokalisht do të ketë stuhi me reshje të dendura shiu, erë të fortë (mbi 70 km/h) dhe breshër. Temperatura maksimale do të lëvizë nga 27 deri në 35 gradë.
Lajme nga vendi
VLEN: Vetingu në BDI fillon nga kryetari i partisë Ali Ahmeti

Procesi i reformimit dhe pastrimit të BDI-së nuk mund të udhëhiqet nga Ali Ahmeti. Ky proces duhet të fillojë nga kryetari i partisë Ali Ahmeti, të vazhdojë me familjen e tij, e pastaj të përhapet në strukturat më të ulëta partiake. Ky proces nuk mund të bëhet nga lideri i partisë për funksionarët e partisë sepse në këtë mënyrë është kompromentues. Vetingu ka kuptim vetëm kur atë e realizon një trup profesional me kredibilitet dhe integritet të lartë dhe që është imun ndaj ndikimeve politiko – partiake. Vetëm atëherë mund të flitet për vendosje të një standardi të ri për partitë politike në rajon.
Lajmi që ‘Deputetët e BDI-së i janë nënshtruar një vlerësimi të rrezikut të korrupsionit dhe kanë nënshkruar Kodin e Praktikës së Mirë dhe Integritetit të BDI-së’ është tallja e rradhës dhe mashtrimi i qytetarëve që u bëhet atyre në regji të BDI-së. Një parti zyrtarët e të cilës janë në hikje, sjellja korruptive e të cilëve është konfirmuar me vendosje në listën e zezë amerikane, nuk ka kredibilitet dhe as të drejtë morale që në këtë mënyrë të tallet me shqiptarët duke shpikur gënjeshtrën e rradhës sipas të cilës kryetari i partisë do të pastrojë partinë nga të korruptuarit!
E para, kryetari i partisë ka qenë po ai i njejti kryetar gjatë gjithë viteve të qeverisjes së BDI-së. Ai ka pasur informacion për sjelljet korruptive të zyrtarëve të tij, por nuk ka vepruar.
E dyta, kryetari i partisë është i pari në mesin e të barabartëve. Ai nuk mund të ‘lustrojë’ të tjerët, me pretendimin e korrupsionit, dhe ta amnistojë vetveten si i pastër.
E treta, në vende normale, hetimet për korrupsion i bëjnë organet e shtetit- Prokuroria, policia financiare, policia, gjyqësori. Ndërsa kryetarët e partive, sikur edhe çdo bartës tjetër i funksionit, përfshirë këtu edhe kryetarin e BDI-së, u nënshtrohen hetimeve të tilla.
Në luftën kundër korrupsionit, të dyshuarit për korrupsion po vendosin standarde e parime. Ky është paradoksi shoqëror në Maqedoninë e veriut. Kjo është tallje e rëndë me shqiptarët. Për të dëshmuar përkushtimin dhe sinqeritetin tuaj nda j pastrimit të partisë nga të korruptuarit, ju duhet ta mbështetni vetingun institucional dhe të pavarur politikisht. Ndërsa, për të dëshmuar vullnetin tuaj në këtë drejtim, ju sugjerojmë të filloni duke treguar se ku fshihet Artan Grubi.
Çdo nismë antikorrupsion është e mirëfilltë kur nis nga maja e piramidës dhe reflekton në bazë. Në BDI, lufta kundër korrupsionit fillon nga lideri i saj Ali Ahmeti.
Lajme nga vendi
Taravari: Pikë e re pediatrike e kujdestarisë, e hapur për herë të parë në Poliklinikën Bit Pazar

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, bashkë me drejtorin e Shtëpisë së Shëndetit Shkup, Samir Iseni, ka njoftuar sot se për herë të parë është hapur pikë e re pediatrike e kujdestarisë në Poliklinikën Bit Pazar.
“Pikë e re pediatrike e kujdestarisë, e hapur për herë të parë sot në Poliklinikën Bit Pazar. Pika funksionon çdo ditë nga ora 19:30 deri në 07:30 dhe të dielën 24 orë. Hapësira është plotësisht e rinovuar dhe e pajisur me mobilie dhe inventar të ri mjekësor” ka shkruar ministri, Arben Taravari.
Ai tutje ka shpjeguar për shërbimet që ofrohen në këtë pikë pediatrike.
“Në këtë pikë pediatrike do të ofrohen shërbime për fëmijët nga mosha 0 deri në 14 vjeç nga qyteti i Shkupit dhe vendbanimet përreth. Shërbimet përfshijnë ekzaminim të përgjithshëm pediatrik, qasje terapeutike dhe analiza laboratorike”, ka përfunduar Taravari.
Lajme nga vendi
Mexhiti mbështet Kasamin: Nëse ka rrugë me emra nga Rusia dhe Ukraina, pse të mos ketë edhe nga historia shqiptare?

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i pyetur për reagimet në lidhje me propozimin për emra të rinj të rrugëve në Tetovë, deklaroi se disa gjëra nuk duhet të përkthehen, duke i dhënë si shembull emrat “Kongrese dhe Manastire”, të cilat u kundërshtuan nga Lidhja e Luftëtarëve të Tetovës.
Mexhiti theksoi se Tetova është një qytet me shumicë të madhe shqiptare, por, sipas tij, 99% e emrave të rrugëve, shkollave dhe institucioneve publike janë të lidhura me historinë maqedonase.
“Çfarë ka të keqe që në një qytet me shumicë shqiptare të ketë rrugë dhe institucione me emra të personaliteteve dhe ngjarjeve shqiptare?” – tha zëvendëskryeministri.
Izet Mexhiti theksoi gjithashtu se kryetari i Tetovës, Bilal Kasami, nuk kishte kërkuar që të vendosen emra të historisë shqiptare në Strumicë apo në Gjevgjeli, por në një qytet ku shqiptarët janë popullsi dominues.
“Ne jemi pjesë e Maqedonisë së Veriut. Nga e gjithë bota ka emra rrugësh, por disa propozime shqiptare kundërshtohen. Më shumë janë të përfshira datat nga Rusia dhe Ukraina sesa nga historia shqiptare në Maqedoninë e Veriut.”
Ai shtoi përvojën e tij personale: “Kam jetuar në një rrugë ‘7 Korriku’, që është dita e kryengritjes serbe. Në atë rrugë nuk kishte asnjë serb. Pra, mund të ketë emra nga historia serbe dhe ruse, qytete nga Ukraina dhe nga e gjithë bota, por nuk mund të ketë emra nga historia shqiptare?”
Zëvendëskryeministri Mexhiti theksoi gjithashtu se qindra rrugë në Maqedoninë e Veriut mbajnë emra të lidhur me Luftën Çlirimtare, e që, sipas tij, nuk do të thotë se nuk duhet të ketë rrugë me emra shqiptare që do të pasqyrojnë realitetin multietnik të shtetit.
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve