Site icon Tetova Expres

NDËRRON JETË 32-VJEÇARJA NGA TETOVA PAS OPERACIONIT PËR HEQJEN E GURËVE NË VESHKA

Para dy javësh, më 19 qershor, pacientja e re nga Tetova hyri në sallën e operacionit të Klinikës për Urologji në Qendrën Klinike në Shkup për një operacion elektiv për heqjen e gurit në veshka, ndërsa të nesërmen ajo vdiq në Klinikën për Mjekim Intensiv dhe Reanimacion, tregojnë dokumentet për historinë e saj mjekësore.

Bashkëshorti i saj tha për “Sloboden Pecat” se është në kërkim të së vërtetës dhe do të nisë procedurat gjyqësore me ekspertë të huaj.

“Fillimisht na thanë që ta nxirrnim gurin nga veshka e saj, që veshka e saj të funksiononte. Pas operacionit, ata thanë se i hoqën veshkën për t’i shpëtuar jetën. Gruaja ime ka vdekur më 19 qershor dhe ka bërë tre operacione, tre herë është kthyer në sallë. Po kërkoj të vërtetën, djali im pesëvjeçar më pyet çdo ditë se kur do të vijë nëna e tij nga spitali”, tha bashkëshorti i së pacientes së ndjerë.

Ai sot ka marrë dy fletë-lëshime nga Klinika e Urologjisë dhe të dytën nga Klinika për Mjekim Intensiv dhe Reanimacion (KMIR).

Dokumentet “tregojnë” se diçka nuk shkoi pas operacionit të gurëve në veshka të 19 qershorit. Në fletëlëshim thuhet se gjendja e pacientes gjatë qëndrimit në sallën e rikuperimit, menjëherë pas përfundimit të trajtimit operativ në Urologji dhe zgjimit nga anestezia është përkeqësuar në mënyrë progresive.

Përkeqësimi pas operacionit të gurëve në veshka në Urologji, ka qenë me rënie të presionit, me prodhim dreni – gjak i freskët deri në 1300 mililitra, lëkurë e zbehtë e me djersë të ftohtë, gjatë së cilës i janë dhënë 3 njësi eritrocite, 2 plazma të freskëta të ngrira, bikarbonate, stimulimi i noradrenalinës, ndërsa një urolog u thirr urgjentisht për vlerësimin e gjendjes.

Advertisement

Ndërkohë, gjendja e pacientes u përkeqësua më tej, ajo merrte frymë me vështirësi, bebëzat e saj ishin zmadhuar mesatarisht dhe u transferua sërish në sallën e operacionit në repartin e Urologjisë.

Paqëndrueshmëria vazhdoi, ajo ishte e varur nga mbështetja e adrenalinës dhe asaj iu dhanë produkte gjaku dhe plazma.

Më pas, sipas dokumenteve, është bërë heqja e plotë e veshkës dhe gruaja është transferuar në Klinikën për Mjekim Intensiv dhe Reanimacion (KMIR).

Atje ajo ishte e intubuar, kishte lëkurë të zbehtë, presion të gjakut 90 me 60, me bebëza mesatarisht të zgjeruara që nuk reagonin ndaj dritës, kështu që iu dha adrenalinë.

Në venën jugulare i është vendos kateter venoz dhe filloi ringjallja intensive me solucione kristaloidale dhe koloidale. Ndërkohë, kërkoheshin produkte shtesë gjaku. Gjatë qëndrimit në KMIR, pacientja ka marrë sërish produkte gjaku, ndaj është thirrur urologu dhe gastroenterohepatologu për eko abdominale për shkak të fryrjes së stomakut.

Advertisement

Ajo u dërgua sërish në sallën e operacionit, ku iu dhanë produkte gjaku dhe u thirr kirurg abdominal dhe vaskular.

Por frymëmarrja e pacientes u bë shumë e ngadaltë dhe pas reanimimit të pasuksesshëm ajo vdiq.

Familja ende nuk i ka marrë rezultatet e autopsisë pato-anatomike.

Edhe pse nga Klinika e Urologjisë kemi kërkuar përgjigje, ende nuk ka asnjë reagim nga ata.

Advertisement
Exit mobile version