Lajme nga vendi
MINISTRI DURMISHI NË TAKIM ME OEMPV: PRIORITET MBËSHTETJA E BIZNESEVE TË VOGLA DHE TË MESME
Sot realizova takim me kryetarin e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP), Mendi Qyra i shoqëruar nga Nazmi Ejupi, Xhemail Dauti dhe Durim Zekiri. Qëllimi i takimit ishte njoftimi me subjektet afariste anëtare të kësaj ode, si dhe prezantimi i masave, instrumenteve dhe aktiviteteve të parashikuara në Buxhetin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës deri në fund të vitit.
Në këtë takim theksova se fokusi kryesor i Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës tani e tutje do të jetë bashkëpunimi i ngushtë me sektorin e biznesit përmes të cilit do të krijohen politika të qarta për mbështetjen e kompanive. Porosita përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore se Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë dhe Punës do të mbështesin të gjitha iniciativat që vijnë nga Odat ekonomike, iniciativa që do të nënkuptojnë përmirësimin e mjedisit ekonomik në shtet, si dhe përmirësimin e kushteve jetësore e të gjithë qytetarëve në Maqedoninë e Veriut, respektivisht vlerën e shtuar në cilësinë e jetës së tyre.
Bashkëpunimi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës me përfaqësuesit e odave në të ardhmen do të zhvillohet në të gjitha fazat e hartimit të ligjeve, programeve, dokumenteve strategjike, etj. Ky bashkëpunim përfshin marrjen parasysh dhe përfshirjen e sugjerimeve, propozimeve dhe indikacioneve të tyre në të gjitha dokumentet dhe aktet ligjore që përpilohen.
Gjithashtu, në diskutimin me përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, u shkëmbyen mendime edhe për sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohet komuniteti i biznesit duke marrë parasysh zhvillimet aktuale ekonomike dhe politike, si dhe për nevojën e përfshirjes më të madhe në përgatitjen e zgjidhjeve ligjore që prekin drejtpërdrejt sektorin e biznesit.
Lajme nga vendi
Versius – roboti që funksionon me akses minimal është prezantuar në “Zhan Mitrev”
Versius, sistemi inovativ robotik kirurgjik i krijuar për të kryer operacione robotike me akses minimal, u prezantua sot në Spitalin Klinik Zhan Mitrev. Publiku profesional, mjekësor maqedonas u njoh me robotin më të vogël kirurgjik, i cili mund të kryejë procedura laparoskopike dhe minimale invazive dhe nga përdorimi i të cilit përfitojnë pacientët dhe kirurgët dhe të gjithë profesionistët mjekësorë.
Teknologjia Versius përfaqëson një ndërfaqe dixhitale (digital interface) ndërmjet kirurgut dhe pacientit. Përbëhet nga një tastierë pune që menaxhohet nga kirurgu dhe 4 krahë, njëri prej të cilëve përmban kamerën dhe krahët e tjerë përmbajnë instrumentet. Të gjithë krahët janë modularë dhe imitojnë plotësisht lëvizjet e dorës së njeriut (shpatull, bërryl, kyç). Ato mund të funksionojnë në mënyrë të pavarur, por të gjithë punojnë së bashku në mënyrë të sinkronizuar. Procedura robotike redukton humbjen e gjakut, dhimbjen pas operacionit dhe kohën e rikuperimit të pacientit.
Versius shërben si asistent i kirurgëve në fusha të ndryshme të mjekësisë, veçanërisht në urologji, histerektomi laparoskopike, gastroenterohepatologji dhe gjinekologji, në rastet kur përdoret një qasje laparoskopike ose procedura minimale invazive, e cila kryhetnëpërmjet një sërë prerjesh të vogla në të cilat futet pajisja, diçka që është e paarritshme për miliona njerëz në mbarë botën.
Versius është një shpikje e kompanisë britanike Cambridge Medical Robotics Surgical, me ndihmën e së cilës janë kryer më shumë se 20 mijë procedura në më shumë se 20 vende.
Spitali klinik Zhan Mitrev gjithmonë përpiqet të përmirësojë teknikat e punës duke implementuar dhe përdorur metodat më inovative, duke ndjekur hapat e fundit të epokës së re dixhitale në fushën e mjekësisë, nga e cila pacientët kanë përfitimin më të madh.
Lajme nga vendi
VMRO: LSDM dhe BDI e kanë shkatërruar tërësisht shëndetësinë, kanë blerë ilaçe miliona euro në klinikën e fëmijëve pa tender
Sjellja e papërgjegjshme, e pabindur dhe shpërdoruese e LSD-së dhe BDI-së nuk ka fund. Abuzimet e tyre me institucionet e sistemit, grabitja e burimeve shtetërore, varfërimi i popullit dalin në dritë çdo ditë, akuzojnë sot nga VMRO-DPMNE.
Në periudhën e kaluar, thonë nga atje, kemi publikuar skandale të shumta për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga persona të LSD-së dhe BDI-së që menaxhonin institucionet publike dhe shtetërore.
“Nga skandale të tilla që ngrenë dyshime për krime të kryera miliona, LSD dhe BDI nuk kanë kursyer as institucionet shëndetësore që duhet të shërbejnë dhe të kujdesen për shëndetin e qytetarëve të Maqedonisë.
Klinika për sëmundjet e fëmijëve është një institucion shëndetësor që duhet të ofrojë kujdes shëndetësor në kohë, të duhur dhe cilësor për kategorinë më të ndjeshme të pacientëve, fëmijët. Por LSD-ja dhe BDI-ja nuk mundën t’i mbanin duart larg as këtij institucioni vital dhe të mos përfitonin nga shëndeti i fëmijëve.
Sipas Raportit të Revizionit Shtetëror për punën e Klinikës së Fëmijëve në vitin 2022, është konstatuar se ilaçe me vlerë disa milionëshe janë blerë pa tender.
Gjatë menaxhimit të stafit nga LSD dhe BDI, Klinika për Sëmundje të Fëmijëve ka blerë ilaçe në vlerë prej 8,6 milionë denarë dhe më pas ia ka kthyer kompanisë fituese të tenderit”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Lajme nga vendi
Skandali i basteve në Turqi “prek” Shqipërinë dhe Maqedoninë?
Një skandal i mirëfillte ka shpërthyer ne Turqi pasi është zbuluar një grup i strukturuar kriminal i cili merrej me baste të paligjshme, por edhe me pastrim parash, me shifra marramendëse. Policia ka marrë në hetim emra të njohur si këngëtari Serdar Ortaç, prezantuesi Mehmet Ali Erbil, por sidomos ish-futbollisti Batuhan Karadeniz.
Dy të parët po hetohen në gjendje të lirë për rolin e tyre në këtë skandal që ka shpërthyer në Turqi, teksa ish-futbollisti është në arrati dhe i kërkuar nga drejtësia si një nga emrat kryesorë të këtij grupi kriminal.
Sipas informacioneve që po publikohen në Turqi, janë grupe mafioze që fshihen pas shumave të mëdha që janë fituar nëpërmjet basteve ilegale, ndërsa raportohet se janë blerë klube në vende të ndryshme në Ballkan, duke orientuar ndeshjet sipas dëshirave të tyre për të favorizuar bastet. Ndërkohë, ato përdorin rrjetet sociale dhe persona të famshëm për t’u bërë reklamë, kundrejt pagesave të majme.
“Mynet” bën të ditur se klubet e preferuara që kanë kaluar nën kontrollin e këtyre grupeve mafioze janë në Shqipëri dhe Maqedoni, ashtu si edhe në Gjeorgji. Nëpërmjet basteve në kompani online, janë lëvizur shuma të mëdha parash, por edhe janë manipuluar rezultatet sipas dëshirës duke u shkaktuar fitime të mëdha këtyre organizata, e humbje të njëpasnjëshme bastexhinjve të thjeshtë.
Reklamimi i këtyre kompanive online nga persona të famshëm, është bërë kundrejt pagesave jashtëzakonisht të larta, deri në 1 milion dollarë për një numër të caktuar postimesh rreth tyre. Pritet që në ditët në vijim të dalin detaje të tjera rreth këtyre gupeve dhe se si kanë organizuara bastet ilegale apo deri ku është shtrirë ndikimi i tyre në Turqi dhe në vendet e tjera të Ballkanit./Panorama/
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve