Pasi Maksim Dimitrievksi komentoi flamurin shqiptar në mbledhjen e VLEN ku edhe tha se nëse vazhdon kështu, ZNAM do të dalë nga qeveria, ka reaguar Krenar Lloga nga Aleanca për Shqiptarët, përcjell TV21. Lloga tha se askush nuk mund t’ua ndalojë shqiptarëve ta përdorin flamurin kombëtar, ndërsa për Dimitrievskin, tha se mund të lejojë ose të ndalojë flamuj në shtëpinë e tij private.
“Askush nuk mund t’ua ndalojë qytetarëve shqiptarë të RMV-së përdorimin e flamurit të tyre kombëtar e aq më pak Dimitrievski, ai mund të lejojë ose të ndalojë flamuj në shtëpinë e tij private.
Qeveria është shtëpia e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, rrjedhimisht edhe 1/3 së popullsisë së përgjithshme, në këtë rast shqiptarëve. Secili komunitet mund të përdorë flamurin e tij e që janë pjesë preambulës së këtij shteti, si ai turk, boshnjak, vlleh, rom, egjiptian etj.
Flamuri shtetëror i RMV-së respektohet nga të gjithë andaj edhe të gjithë duhet të respektojnë simbolet respektive.
Etnocentrizmi alla serb që po shfaqet si re e zezë mbi vendin tonë, është ogur i keq, andaj ndaloni eksperimentet mbi shtetin që çdo ditë e më shumë po mundoheni ta ndani e përçani, përvishini mëngët dhe punoni për ardhmërinë e këtij vendi, mjaft me kampanjë paszgjedhore”, ka shkruar Lloga.