Site icon Tetova Expres

Dënime me kusht për pjesëmarrësit në ngjarjet në M-NAV, Prokuroria e ka rikualifikuar lëndën kundër tyre

Prokuroria njofton se Gjykata Penale ka shqiptuar dënime me kusht për 7 pjesëmarrësit në ngjarjet në M-NAV, duke sqaruar se në bazë të provave që kanë marrë nga Eurocontrol, e kanë rikualifikuar veprën penale.

Kështu, grupi i zyrtarit të BDI-së Bekim Neziri, në vend të veprës “rrezikim i komunikacionit ajror” është akuzuar për veprën “pengimi i zyrtarit në kryerjen e veprës zyrtare”, pas çka u pajtuan edhe të akuzuarit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ata u deklaruan fajtorë dhe morën dënime me kusht. Gjashtë prej tyre kanë marrë dënim me burg prej gjashtë muajsh, i cili nuk do të zbatohet nëse nuk kryejnë vepër të re penale brenda një viti e gjashtë muajve. Në mesin e tyre është edhe Bekim Neziri, kryetar i degës së BDI-së në Çair, i cili punon në Kontrollin e Trafikut Ajror.

Njëri prej pjesëmarrësve ka marrë dënim me kusht me mbikëqyrje mbrojtëse, pra dënim me dy vjet burg, i cili nuk do të zbatohet nëse nuk kryen një vepër të re brenda pesë viteve pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Ndryshe, nëse të akuzuarit për ngjarjet në M-NAV do të ndiqeshin penalisht për rrezikim të sigurisë së trafikut ajror, dënimet do të ishin minimalisht me dhjetë vjet burg.

Advertisement

Incidenti ndodhi në fillim të janarit kur një kontrollor i trafikut ajror u sulmua nga një grup që hyri në ndërtesën M-NAV. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të kullës së fluturimit nga ku drejtohet trafiku ajror.

Exit mobile version