Site icon Tetova Expres

Komiteti i Helsinkit: Në Idrizovë për 1.000 të dënuar kujdeset vetëm një mjek

Kujdesi shëndetësor në INP Idrizovë ofrohet nga 1 mjeke dhe 2 infermierë, të cilët frekuentojnë institucionin e mbi 1000 të dënuarve, vetëm në disa orë gjatë ditës, njofton Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Nga atje, sot publikuan gjetjet kryesore nga fushat në të cilat veprojnë – drejtësia, monitorimi dhe situatën në burgje dhe institucione psikiatrike, gjuha e urrejtjes, krimi i urrejtjes si dhe fusha të tjera, transmeton Portalb.mk.

“Personat e dënuar na informojnë rregullisht për korrupsionin në burgje, por nga frika e humbjes së të drejtave dhe komoditeteve të tyre, ata zyrtarisht nuk i raportojnë këto raste. Në vitin 2023, ndihma juridike falas iu është ofruar 90 personave të dënuar dhe personave të tjerë për shkak të përdorimit të tepruar të forcës nga punonjësit e policisë. Arsyet më të zakonshme për të cilat personat e dënuar kanë kërkuar këshilla ligjore kanë të bëjnë me kujdesin shëndetësor, kushtet materiale, takimin me fëmijët dhe partnerin jashtëmartesor, cilësinë e ushqimit dhe ujit, të drejtën e lirimit me kusht, transferimin në një institucion tjetër të vuajtjes së dënimit dhe ushtrimin e të drejtave të vizitës”, thuhet në njoftimin nga Helsinki.

Komiteti i Helsinkit ka realizuar 10 vizita në institucionet ndëshkuese Idrizovë, Shtip, Prilep dhe burgun në Kumanovë. Është konstatuar se personat e dënuar nuk kanë qasje adekuate në kujdesin shëndetësor, se kushtet materiale të jetesës janë të këqija dhe se programet e risocializimit, kushtet për zbatimin e tyre dhe ndihma pas dënimit janë ende të pamjaftueshme dhe të pazbatueshme.

Helsinki, si anëtar i Grupit të Projektit për Reformat në Drejtësi, u tërhoq nga pjesëmarrja e mëtejshme në hartimin e Kodit të ri Penal, pas ndryshimeve të tij në shtator 2023. Sipas tyre, pjesëmarrja e organizatave të shoqërisë civile është bërë e pakuptimtë në një procedurë e cila në thelb, siç thonë ata, legjitimon paligjshmërinë.

“Ulja e dënimeve të tre akteve kyçe për të luftuar krimin e lartë dhe korrupsioni legjitimoi mosndëshkimin kronik të zyrtarëve të lartë dhe ekzekutuesit e funksioneve publike. Komiteti i Helsinkit ka dorëzuar iniciativë në Gjykatën Kushtetuese të RMV-së për vlerësimin e kushtetutshmërisë së neneve të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërtim dhe Ligjit për marrëdhëniet e punës (LMP), lidhur me realizimin e Marrëveshjes me Bechtel dhe Enka për ndërtimin e katër seksioneve autostrada të korridoreve 8 dhe 10d. Duke përdorur termin interes strategjik kombëtar si bazë për vendosjen e rregullave paralele, mundësohet ekzistimi i zgjidhjeve të avancuara ligjore për marrëdhëniet e punës. Rezultati i kësaj është pasiguria juridike dhe pabarazia e qytetarëve para Kushtetutës dhe ligjeve”, thonë nga atje.

Advertisement

Kujtojmë se Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës në raportin e fundit vëren mungesën e zbatimit të disa rekomandimeve në fushën e reformës së burgjeve dhe, në veçanti, në lidhje me situatën në Burgun e Idrizovës. KPT u bën thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që t’i zbatojnë këto rekomandime dhe të shmangin nevojën që Komiteti të lëshojë deklaratë publike. Raporti thekson nevojën e një vlerësimi për përdorimin e forcës ndaj të burgosurve. Komiteti vëren se fenomeni i mbipopullimit të burgjeve mund të trajtohet efektivisht nga një politikë e modulimit të numrit të personave të dërguar në burg dhe jo nëpërmjet një amnistie tjetër. Gjithashtu përmenden kushtet e këqija higjienike për të burgosurat femra dhe të miturit në paraburgim.

Exit mobile version