Viti shkollor 2023/2024 ka përfunduar për nxënësit e shkollave të mesme, ndërsa nxënësit e shkollave fillore konform me vendimin vjetor për organizimin e mësimit deri në pushimin veror kanë edhe një javë pune
Përfundimi i vitit shkollor më 17 qershor është caktuar për të gjithë nxënësit, por Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) i doli në ndihmë kërkesës së Unionit të gjimnazistëve.
“Në Ligjin për arsimin fillorë janë caktuar saktë numri i ditëve të punës (180), pra në arsimin fillor. Në Ligjin për arsimin e mesëm nuk është caktuar detyrimi ligjor për numrin e saktë të ditëve të punës. Të gjitha vendimet merren në konsultim me ata që janë të prekur në këtë aspekt. Sindikata e nxënësve të shkollave të mesme ka kërkuar që përveç pushimit pranveror, arsimi i mesëm të përfundojë në 10 qershor, për shkak të procedurave administrative të regjistrimit të fëmijëve në arsimin e lartë. Këtë e lejonte ligji dhe ne këtu vepruam“, tha kohë më parë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.
Edhe filloristët edhe gjimnazistët këtë vit kishin pushim pranveror nga 26 prilli deri më 6 maj të vitit 2024.
Maturantët në dy të shtunat e kaluara i janë nënshtruar dy provimeve eksterne nga provimi shtetëror i maturës dhe rezultatet duhet t’i presin më së voni deri më 8 korrik.
Semimaturantët, nga ana tjetër, këtë muaj janë gati të regjistrohen në arsimin e mesëm. Regjistrimi i nxënësve në periudhën e afatit të qershorit do të bëhet në dy afate. Sipas konkursit për regjistrim në arsimin e mesëm, regjistrimi i parë elektronik do të bëhet nga data 20 deri më 25 qershor dhe i dyti më 1 dhe 2 korrik.
Aplikimi është në mënyrë elektronik përmes linkut në portalin për shërbime elektronike të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (e-uslugi.mon.gov.mk).