Lajme nga vendi
Petrovska: Nëse nuk zgjidhem kryetare e LSDM-së, nuk do të kryej funksion tjetër në parti
Ministrja në largim e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska, e cila ditë më parë paralajmëroi se do të hyjë në garë për kreun e ri të LSDM-së, tha se nëse nuk zgjidhet kryetare, nuk do të kryejë funksion tjetër partiak.
Deklarata e Petrovskës vjen pasi Jovan Despotovski, kandidati tjetër për kryetar të LSDM-së, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka kërkuar që çdo pjesëmarrës në zgjedhjet e brendshme për kryetar partie të marrë përsipër që të mos pranojë asnjë pozitë tjetër, as në nivel qendror e as në atë lokal , nëse nuk zgjidhet kryetar.
Despotovski shtoi se, sipas tij, me këtë rregull do të mundësohet lojë e ndershme dhe se këtë propozim e ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të partisë.
Në një prononcim për TV Telma, Petrovska sot ka bërë të ditur se gjatë javës së ardhshme edhe zyrtarisht do ta paraqesë kandidaturën për kryetare të LSDM-së, në përputhje me Statutin e partisë.
Por ajo kërkoi që përveç detyrimit që të mposhturit në zgjedhjet e brendshme partiake të mos hyjnë në organet e partisë, të vendoset edhe një detyrim që askush nuk mund të kandidojë për herë të tretë, si dhe një detyrim që nëse kandidati apo kryetari i zgjedhur të përballet me përgjegjësi penale, të largohet nga funksioni.
Lajme nga vendi
4 persona u shtruan në spital për shkak të klorit në pishinën e hotelit në Ohër
Një defekt teknik në sistemin e qarkullimit të ujit, shkaktoi avull të fortë dhe kollë, tek klientët në një pishinë hoteli në Ohër. Katër persona u dërguan në Spitalin e Përgjithshëm të Ohrit pas një arome të fortë dhe depërtuese e klorit, që u ndje në një pishinë hoteli në qytet, që u shoqëruar me avull të shtuar.
Incidenti u paraqit nw Sektorin e Policisë së Ohrit, më 19 janar rreth orës 17:30. Sipas informacioneve, personat që ndodheshin aty i kaploi kola e fortë, gjë pas së cilës u kërkua ndihmë mjekësore.
Të lënduarit u mbajtën në spital për trajtim, por, siç informojnë autoritetet, ata janë jashtë rrezikut.
Pas kontrolleve të ndërmarra, u përcaktua se kishte një problem teknik në sistemin e qarkullimit të ujit të pishinës. Një kompani e autorizuar ndërhyri dhe zëvendësoi pjesën difektoze të sistemit, gjë që e vuri situatën nën kontroll.
Shërbimet kompetente njoftuan se masat për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes po vazhdojnë, pas së cilës do të paraqitet një raport përkatës. (plusinfo.mk)
Lajme nga vendi
Para, ar, ilaçe e cigare! Drejtoria e Doganave njofton për disa sekuestrime të realizuara
Drejtoria e Doganave informon se janë zbuluar disa tentativa për kontrabandë të mallrave të ndryshme dhe disa tentativa për trafik të shumave të mëdha të parave, përcjell TV21. Mes tjerash, tek dy shtetas grekë, të cilët u paraqitën për dalje nga vendi në pikën kufitare “Tabanoc”, u gjetën 13.900 euro të pa deklaruara, tre monedha ari dhe një pllakë ari rreth 90 gramë.
“Gjatë kontrollit personal të personave, tek xhepi i xhaketës së shoferit u gjetën 23.900 euro, ndërsa në portofolin e tij dhe në xhepin e përparëm të pantallonave të tij u gjetën tre monedha ari, secila me peshë rreth 8 gramë, dhe një pllakë ari me peshë rreth 90 gramë. Sipas ligjeve në fuqi, pasagjerit iu kthyen 10.000 euro, shuma që një rezident mund ta nxjerrë lirshëm nga vendi, ndërsa 13.900 euro, monedhat e arit dhe pllakën e arit u sekuestruan përkohësisht”, njofton Drejtoria e Doganave.
Lajme nga vendi
Trençevska: Kemi frikë nga abuzimet me “Safe City”, nuk e dimë kush e kontrollon atë
Nënkryetarja e LSDM-së, Jovanka Trençevska, është skeptike në lidhje me Ligjin për Kundërvajtjet, i cili është i rëndësishëm për funksionimin e projektit “Safe City”.
“Mbikëqyrja mbi të gjithë sistemin nuk është në ligj dhe kjo është një çështje që duhet të diskutohet. Kemi frikë nga abuzimi.
Prandaj, duhet të ketë një mekanizëm për mbikëqyrje dhe kontroll. Mënyra se si është ngritur sistemi, nuk e dimë kush e kontrollon dhe nuk e dimë nëse do të ketë abuzime, dhe duke mësuar nga sundimi dhe praktika e pushtetit të OBRM-PDUKM-së, me të vërtetë kemi dyshime. Kush e ushqen softuerin dhe kompjuterin? Faktori njerëzor, në fund të fundit. Kemi frikë nga çdo lloj abuzimi”, tha Trençevska në emisionin “360 gradë”.
Trençevska pohon se si projekt, LSDM e mbështet atë, duke theksuar se është koha për të ndaluar numrin e viktimave të aksidenteve rrugore. Megjithatë, sipas saj, ata do të diskutojnë brenda partisë një qëndrim përfundimtar në lidhje me një votim të mundshëm për Ligjin për Kundërvajtjet.
Sistemi “Safe City”, sipas njoftimeve nga autoritetet, duhet të fillojë zyrtarisht funksionimin më 1 shkurt.

