Site icon Tetova Expres

U kap me 10.000 euro që dyshohet se janë ryshfet, Këshilli Gjyqësor ia mori imunitetin gjykatësit Georgiev dhe e miratoi paraburgimin e tij

Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancë urgjente në mesnatë ia ka marrë imunitetin gjykatësit suprem Naqe Georgiev, me çka e miratoi paraburgimin e tij, ndërsa e largoi edhe nga ushtrimi i funksionit gjykatës.

Siç njoftuan nga Këshilli Gjyqësor, në seancën urgjente 487 të mbajtur më 21 maj të vitit 2024, Këshilli debatoi dhe vendosi rreth kërkesës së Gjykatës Themelore Penale Shkup për marrjen e imunitetit të gjykatësit dhe për aprovimin e arrestit të gjykatësit.

“Këshilli gjyqësor, e ka marrë imunitetin e gjykatësit të Gjykatës Supreme të RMV-së, për shkak të zhvillimit të papenguar të procedurës penale. E miratoi kërkesën për aprovim të paraburgimit të gjykatësit të Gjykatës Supreme të RMV-së të parashtruar nga një gjykatës në procedurë paraprake të Gjykatës Themelore Penale Shkup dhe përkohësisht e largoi nga kryerja e funksionit të gjyqtarit në Gjykatën Supreme të RMV-së, deri në përfundim të plotfuqishëm të procedurës penale”, theksohet në kumtesë.

Georgiev dje u ndalua pasi është kapur në flagrancë me 10 mijë euro, që dyshohet se janë mitmarrje për procedurë gjyqësore.

Ai dyshohet se ka premtuar masa lehtësuese në procedurën gjyqësore e cila udhëhiqet kundër ish kryetarit të Novo Sellës, Boro Stojçevit i cili është arrestuar herën e fundit për kontrabandim të marihuanës./tv21.tv

Advertisement
Exit mobile version