Lajme nga vendi
KSHZ: Përveç një vendvotimi në Zhelinë, do të rivotohet edhe në një vendvotim në Ohër dhe në dy në Krushevë
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve mbrëmë e shfuqizoi votimin edhe në tre vendvotime. Bëhet fjalë për vendvotimin 1272 në komunën e Ohrit dhe për vendvotimet 1194 dhe 1202, të dyja në Krushevë, pas ankesës së parashtruar grupore nga Koalicioni “Maqedonia Juaj”, e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja.
Siç njofton kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, pas numërimit të përfunduar për vendvotimin 1272 në Ohër, u konfirmua se procesverbali nuk është plotësuar në mënyrë të rregullt, ka edhe korrigjim në pjesën e votuesve të vendosur me hyrje manuale.
Ankesa u miratua me një votë kundër.
“Kundër” votoi nënkryetarja e KSHZ-së, Ditmire Shehu, e cila tha se numri i votuesve përputhet me numrin e nënshkrimeve. Ajo sqaroi se vërejtja për rezultatet nga ky vendvotim në të vërtetë ka të bëjë me procesverbalin 16 në pjesën 4, ku është plotësuar gabimisht, e kjo është, thotë, gabim që e kanë pothuaj të gjitha këshillat zgjedhorë.
Në Krushevë, ankesat për dy vendvotimet janë miratuar për shkak të mospërputhjes së numrave nga procesverbali me ato nga aparati për identifikim biometrik.
KSHZ-ja vazhdon me shqyrtimin e ankesave të arritura.
Deri tani janë shqyrtuar ankesat nga Koalicioni “Vlen”, me ç’rast u miratua një ankesë për vendvotmin 2102 në Zhelinë.
Për rezultatet zgjedhore deri te KSHZ-ja janë parashtruar 27 ankesa – nëntë nga Koalicioni Vlen, tetë nga VMRO-DPMNE, pesë nga LSDM-ja dhe katër nga E Majta. Kryetari i KSHZ-së, Dashtevski në seancën e KSHZ-së potencoi se bëhet fjalë për ankesa grupore me m; shumë vende të përfshira zgjedhore.
Sipas rezultateve të para zyrtare për zgjedhjet parlamentare që i ka publikuar KSHZ-ja, Koalicioni “Maqedonia e Juaj” e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja ka fituar 58 mandate të deputetëve, pas çka vijojnë Fronti Evropian i udhëherqur nga BDI-ja me 19 mandate, Koalicioni për ardhmëri evropiane, i udhëhequr nga LSDM-ja me 18, Koalicioni Vlen me 13, ndërsa Lëvizja ZNAM për Maqedoninë tonë dhe E Majta nga gjashtë mandate të deputetëve.
Lajme nga vendi
Kryetari Mendi Qyra pret kapësin e Kryqit të Shenjtë: Mesazh uniteti dhe bashkëjetese nga Struga
Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, sot realizoi një takim me kapësin e Kryqit të Shenjtë, Petar Çakareski, i cili së bashku me shokët e tij ndau gëzimin e festës së madhe të krishterë – Ujit të Bekuar.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të këndshme dhe miqësore, ku kryetari Qyra i uroi Petarit një vit të mbarë, të shëndetshëm dhe të suksesshëm. Ai theksoi se ngjarje të tilla kanë rëndësi të veçantë për komunitetin dhe për ruajtjen e vlerave tradicionale.
Sipas kryetarit, festat fetare dhe traditat janë ura që lidhin njerëzit dhe forcojnë bashkëjetesën, duke e bërë Strugën shembull të respektit dhe harmonisë mes besimeve dhe kulturave të ndryshme.
Komuna e Strugës do të vazhdojë edhe në të ardhmen të kultivojë mirëkuptimin, respektin dhe unitetin, si themele të një shoqërie të fortë dhe të bashkuar.
Lajme nga vendi
Gripi po bënë “kërdinë”, gjysmëvjetori në Tetovë filloi me mungesën e shumë nxënësve
Gjysmëvjetori i dytë nëpër shkollat e Tetovës filloi me mungesën e qindra nxënësve, për shkak të virusit stinor. Drejtoresha e shkollës “Liria” në Tetovë thotë se kanë dezinfektuar hapësirat, ndërsa kërkojnë nga prindërit, që fëmijët me simptoma të mos i dërgojnë në Shkollë.
“Sipas të dhënave që sot kemi pa prezencën e nxënësve, nëpër disa klasa kemi pasur numër që mungojnë nga 13 nga pesë, pra kemi mungesë të nxënësve. Kemi bë dezinfektimin e hapësirave dhe gjithë objektit dhe përgatitur për ti pritur nxënësit. Apelojmë gjithë prindërit që nëse fëmijët e tyre rezultojnë me simptoma të gripit, është mirë që fëmijët mos dorëzohen në shkollë”, tha Farije Idrizi Kasami, drejtoreshë e Sh.F. “Liria” Tetovë.
Nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës thonë se pos nxënësve, në disa shkolla në fillim të gjysmëvjetorit të dytë për shkak të gripit mungojnë edhe mësimdhënës.
“Gjitha masat janë ndërmarr dhe është bë dezinfektimi i shkollave, parapërgatitjet paraprake për mbarëvajtje të procesit mësimor. E dimë se jemi në kushte të temperaturave të ulëta dhe një numër i konsiderueshëm i nxënësve mungojnë, por është mirë që të respektohet rekomandimi i Ministrisë së Shëndetësisë që ata fëmijë që janë me viroza mos të lëshohen në shkollë ndërsa mungesa e tyre do arsyetohet me vërtetim mjekësor që fëmija ka qenë me viroz”, deklaroi Nazmi Dauti, sektori për Arsim/komuna e Tetovës.
Dauti thotë se është siguruar mjaftueshëm edhe lëndë djegëse për ngrohje të shkollave, me theks të veçantë në shkollat e malësisë së Sharrit, ku ditëve të fundit, temperaturat rezultojnë deri në minus 12. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Lloga: Regjistri Qendror simbol i diskriminimit institucional prej më shumë se 35 vitesh
Ish ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ka reaguar publikisht përmes një postimi në Facebook, duke akuzuar Regjistrin Qendror për diskriminim të vazhdueshëm institucional ndaj komuniteteve jo-shumicë informon Tetovasot.
“Mbi 50 pozita udhëheqëse – zero. Tre sektorë – zero. 21 njësi – zero. 27 zyra rajonale – zero. Regjistri Qendror është një nga institucionet që ka alergji ndaj udhëheqësve nga komunitetet jo-shumicë”, ka shkruar Lloga.
“Për më shumë se 35 vjet, Regjistri Qendror ka funksionuar me dyer hermetikisht të mbyllura për komunitetet jo-shumicë. Kjo është diskriminim i strukturuar dhe i toleruar nga sistemi”, ka theksuar ai.
Reagimi i ish ministrit ka ngjallur diskutime në opinion për përfaqësimin e drejtë dhe gjithëpërfshirës në institucionet publike të vendit.

