Site icon Tetova Expres

Talat Xhaferi: Zhvilluam zgjedhje evropiane dhe kontribuam në sjelljen evropiane të vendit

Zgjedhjet evropiane i zhvilluam në procese zgjedhore të lira, paqësore, të drejta dhe demokratike në të dy ciklet zgjedhore. Me këtë me të drejtë mund të vlerësoj se kemi kontribuar në sjelljen evropiane të vendit, i cili aspiron të jetë anëtar i BE-së, tha kryeministri teknik Talat Xhaferi në konferencën e sotme për media, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në konferencën për media ku iu referua punës së Qeverisë në 100 ditët e kaluara, ai theksoi se këto zgjedhje do të përmenden se si mund dhe duhet të bëhen në interes të qytetarëve dhe shtetit.

“U angazhova para qytetarëve se do të mundësojmë shprehjen e lirë të vullnetit të qytetarëve në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Ky është një obligim i besuar në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet dhe unë si Kryeministër dhe Qeveria e kemi përmbushur në vazhdimësi. Fjalët e mia konfirmohen nga urimet dhe shprehjet e respektit të partnerëve tanë evropianë. Nëse me diçka vlerësohen kapacitetet evropiane dhe demokratike të një qeverie, atëherë janë zgjedhjet”, tha Xhaferi.

Ai shprehu mirënjohjen e tij për institucionet dhe qytetarët sepse, siç tha, kanë mbajtur përgjegjësitë e tyre dhe kanë kontribuar në përpjekjet e shtetit për të përparuar sipas vlerave evropiane.

Exit mobile version