Zgjedhjet na kanë dalë për hunde vitet e fundit. Të rregullta, të parakohshme, të zakonshme, të jashtëzakonshme, gati çdo vit kemi nga një palë zgjedhje. Herë fiton njëri, herë tjetri. “Herë kungulli, herë pacërka”, do të thosh humoristi ynë i njohur, Sevdai Radogoshi. Sa mbarojnë zgjedhjet, ata shikojnë vetëm interesin e tyre. Zhduken politikanët e këndshëm të fushatës parazgjedhore, që u rrjedhin fjalë të ëmbëla si mjalti deri në ditën e zgjedhjeve, por sapo përfundojnë zgjedhjet i lëshon toka. Bëhen ministra e deputetë, bëhen drejtorë e ambasadorë, kurse juve u harrojnë, madje as telefonin nuk ua hapin. Prandaj, është mirë ta lexoni deri në fund këtë tekst dhe ta kuptoni porosinë e tij. Mos të vijë nesër puna, mozot duke vuajtur dënim me burg për vjedhje votash, t’i thoni vetes: “Mirë shkruante Zhurnali, isha budalla që nuk e lexova deri në fund”!
Ju në burg, politikanët në poste!
Kështu ka ndodhur çdo herë, kështu do të ndodhë edhe këtë herë. Tashmë jemi mësuar me “stilet” e politikanëve. Prandaj është me rëndësi që ne si votues të shfrytëzojmë të drejtën e votës ashtu siç na ka hije, e të mos futemi në skenare të tjetër kujt.
Aq më pak duhet të bëheni i pjesë e vjedhjes së votave dhe manipulimeve tjera zgjedhore. Politikanët prej nesër ju harrojnë, shikojnë hesapin e tyre, kurse ju do të maltretoheni me vite nëpër gjykata dhenë fund ju pret dënim 5-6 vjet me burg. Pyetni ata që e kanë pësuar, nëse ndonjë politikan u ka dalur në ndihmë. Madje janë tallur me fatin e tyre.
Zgjedhjet janë kulmi i procesit demokratik dhe festë e shprehjes së vullnetit të lirë nga ana e qytetarëve. Zgjedhjet, në një vend si Maqedonia e Veriut, mund të jenë një hap përprara në rrugën drejt Bashkimit Evropian, nëse organizohen e zbatohen në përputhje me standardet evropiane. Por mund të kenë pasojë edhe kthim mbrapa, në rast se përcillen me parregullsi dhe incidente. Politikanët nuk humbin as në rastin e parë, e as në rastin e dytë. Ndoshta na rastin e dytë përfitojnë edhe më shumë, sepses a më larg të jemi prej BE-së, aq më i “turbullt uji”, e në turbullinë është më lehtë të vidhet e të bëhen keqpërdorime.
E nëse kemi një proces të rregullt e demokratik, që na ofron drejt Bruskselit, ky është një përfitim për të gjithë qytetarët. Në këtë mënyrë bëhen ndryshime pozitive në pajtim me standardet e BE-së, që na ofron drejt realizmit të ëndërrës për tu bë vend anëtar në këtë Union. Mos rrezikoni burg prej 5-6 viteve sado para të ju ofrojnë. Fundja, ndoshta është mirë edhe t’ua merni paratë në rast se vlerësoni se refuzimi juaj mund t’u krijojë problem në vendin e punës ose në karrierë, por votën mos ua jepni, sepse në këtë mënyrë u jepni shansë që edhe në zgjedhjet e ardhshme të ju bëjnë presion dhe të ju shantazhojnë. Janë përralla thëniet që “e dinë saktë se për kë keni votuar”, respektivisht se ata që ua keni marë paratë pasi skeni pasur mundësi tjetër, e dinë se për kë keni votuar. Askush nuk e din atë punë, kjo është vetëm formë e presionit psikik.
Prandaj edhe nëse ua mirni paratë, votoni në bazë të vullnetit tuaj të lirë, pa pasur fare dyshim se dikush do e din kë keni votuar. Po e përsërisim edhe një herë, ddoshta është mirë t’ua merni paratë, sepse nuk i kanë fituar me djersë, në rast se vlerësoni se refuzimi mund të ju shkakton telashe. I kanë fituar me manipulime e keqpërdorime dhe tani i japin për të blerë vota, me qëllim që të vazhdojnë edhe më tej me manipulime, e keqpërdorime. Prandaj dilni shfrytëzojeni në drejtën e votës në mënyrë të qytetëruar, ashtu siç na ka hije si komb evropian, pa tensione e pa keqpërdorime.
Mbi 30 të dënuar deri tani për shkelje të procesit zgjedhor
Shkelja e procesit zgjedhor, Sipas Kodit Penal në Maqedoninë e Veriut paraqet vepër të rëndë penale, që dënohet me burg. “Barrën” e kësaj vepre penale në lëkurën e tyre deri sot e kanë ndjerë mbi 30 qytetarë që kanë qenë të involvuar në malverzime zgjedhore dhe shumica prej tyre kanë vuajtur dënime me burg. Nuk bëhet fjalë për një process zgjedhor, por për disa procese zgjedhore, kur janë vërejtur parregullsi dhe shkelje të procesit, që më vonë kanë marë epilog gjyqësor. Kjo tregon se ka njerëz që nuk mbushen me mend deri sa nuk e pësojnë. Nuk marin mësim nga raste të mëhershme prejpersonave që janë dënuar e që kanë vuajtur burg, por sërish manipulohen.
Ruajuni që ju, ose të afërm tuaj të mos jenë në mesin e tyre. Shkeljet për të cilat janë dënuar, ajnë të natyrave të ndryshme. Mbushje kutish, thyerje kutish, tren bullgar, votim kolektiv, pengim i procesit zgjedhor, ndryshim procesverbalesh, etj… Shumica prej atyre që janë dënuar, më pas kanë treguar se si janë penduar, por edhe si janë injoruar nga politikanët që i kanë nxitur të skelin Ligjin zgjedhor, duke u garantuar se “do u qëndrojnë mbrapa”, por pas seancës së parë gjyqësore janë distancuar tërësisht prej tyre. Por është bë vonë, sepse dënimit nuk i kanë shpëtuar, kurse politikanët për të cilët kanë futur në thes, kanë vazhduar me pasurimin e tyre në bazë të posteve që kanë fituar pas zgjedhjeve. /Zhurnal