Nuk është Artan Grubi ai që përcakton se kush dhe kur do të mbajë tubime parazgjedhore, nuk jemi në shtet policor, ndërkaq me me këtë veprim Artan Grubi dhe BDI dëshmojnë se janë me mendësinë e Putinit, me mendësinë e Rusisë, tha kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, i pyetur rreth paralajmërimeve për mbajtjen e tubimeve përfundimtare në sheshin e Tetovës nga të dyja subjektet politike.
“Patjetër që do të mbahet, ne përfundimisht vlerësojmë që në këtë shtet duhet të vlejnë ligjet për të gjithë. Nuk është Artan Grubi ai që përcakton se kush dhe kur do të mbajë tubime parazgjedhore. Nuk jemi në shtet policor. Edhe me këtë veprim Artan Grubi dhe BDI dëshmojnë se janë me mendësinë e Putinit, me mendësinë e Rusisë. Ata kanë kërkuar leje në polici, ligji nuk përcakton që tubimet të marrin leje apo organizatorët e tubimeve të marrin leje në polici, ligji përcakton që me hapësirat publike menaxhojnë komunat. Koalicioni VLEN ka kërkuar në afat kërkesë në Komunën e Tetovës për të shfrytëzuar sheshin e Tetovës ka marr përgjigje pozitive, pas koalicioni VLEN është drejtuar dhe koalicioni i BDI-së, të cilët i kemi informuar se në atë kohë të cilën ata e kërkojnë, Sheshi i Tetovës është i zënë, dhe nuk mund të jepet në shfrytëzim në bazë të ligjit gjithashtu kemi informuar edhe policinë e Tetovës se cili organizator ka leje nga Komuna si menaxhuese me hapësirat publike për organizimin e tubimit përfundimtar me 6 maj”, tha Kasami.
Kasami ka kërkuar nga Artan Grubi të tërhiqet dhe të mos provokojë qytetarët sepse përgjigjen do tam err më 8 maj.
“Kam edhe dokumentet të cilat është bërë komunikimi dhe mes palëve, mes koalicionit VLEN dhe Komunës, mes koalicionit të BDI-së dhe Komunës, dhe informimin e fundit që në bazë të ligjit ia kemi bërë edhe policisë së Tetovës se organizimi i koalicionit VLEN është në bazë të ligjit dhe ky organizim duhet të sigurohet nga policia e cila e ka obligim ligjor”, tha Kasami.
Në sheshin e qytetit të Tetovës më datë 6 maj koalicioni VLEN do ta mbajë tubimin përmbyllës për zgjedhjet parlamentare të 8 majit.