Organizatat sindikaliste në Maqedoninë e Veriut, kanë protestuar para qeverisë në Shkup, për rritjen e pagave të punëtorëve dhe kushte më të mira në punë, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.
Për herë të parë, me moton “Ne punëtorët”, në protestë janë bashkuar dy organizatat më të mëdha, Lidhja e Sindikatave dhe Konfederata e Organizatave Sindikale.
Këto dy organizata kërkuan nga qeveria rritjen e pagës minimale në 450 euro, mbulimin e shpenzimeve për transport, ushqim dhe marrëveshjet kolektive që garantojnë të drejtat e tjera në punë.
“Pa plotësimin e standardeve minimale të Bashkimit Evropian ne nuk mund asnjëherë të bëhemi pjesë e unionit [evropian]. Me pagat që marrim mezi po arrijmë të mbyllim muajin. Varfëria ka hyrë në shtëpinë e çdo punëtori”, ka deklaruar Angel Stojkovski, punonjës në industrinë e tekstilit në protestën e 1 majit të mbajtur në Shkup.
Protestuesit thonë se është momenti i fundit që institucionet të ndërgjegjësohen pasi vendi do të mbetet pa punëtorë nëse vazhdojnë të nëpërkëmben nga shteti.
“Kemi dalur që të kërkojmë të drejtat tonë, të solidarizohemi me të gjitha degët e industrisë, me të gjithë punëtorët dhe të përçojmë porosinë tek qeveria aktuale dhe ajo që do të vijë që të mos luajë me të drejtat e punëtorëve pasi ata janë shtylla e këtij vendi”, ka deklaruar Ivan Peshevski, nga sektori i ndërtimtarisë.
Drejtuesit e sindikatave, në veçanti, iu drejtuan partive që do të formojnë qeverinë e re, pas zgjedhjeve parlamentare, më 8 mars, me kërkesën që në 100 ditët e para të punës së saj të plotësojnë kërkesat bazë.
“Paga minimale duhet të ndjekë trendin e pagës minimale në rajon, veçanërisht për shkak të Ballkanit të Hapur për shkak të mundësisë që gjatë verës punëtorët tanë të largohen për të punuar në vende të tjera”, tha Sllobodan Trendafillov, kryetar i Lidhjes së Sindikatave.
Marjan Risteski, nga Konfederata e Organizatave Sindikale, tha se në Maqedoni të Veriut gjendja materiale dhe financiare e punëtorëve është duke u përkeqësuar që një kohë të gjatë dhe numri i të papunëve po rritet ndërsa investitorët po largohen nga vendi.
“Ata po shkelin ligjin duke punësuar madje edhe mjekë, specialistë, e personel tjetër mjekësor me kontrata të përkohshme që i pamundësojnë realizimin e të drejtave më elementare, si sigurimin shëndetësor dhe pensional. Si mund të angazhohet ky kuadër i domosdoshëm me kontrata të përkohshme kur ka vende të lira të punës?”, thotë Risteski.
Maqedonia e Veriut ndodhet para zgjedhjeve parlamentare dhe rundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, që do të mbahen më 8 maj.
Partitë politike, gjatë fushatës elektorale, kanë bërë premtime të ndryshme, si rritjen e pagës minimale deri në 650 euro dhe pagës mesatare deri në 1.100 euro.
Drejtuesit e organizatave thonë se kanë dëgjuar premtime të tilla në çdo cikël zgjedhor, por ua kanë rikujtuara institucioneve që do të përballem me protesta të fuqishme nëse nuk ndërmarrin masa për përmirësimin e gjendjes së punëtorëve.
Maqedonia e Veriut në mars u përshi nga protestat e profesorëve universitar dhe punonjësve shkencore ndërsa në muajin shkurt nga mjekët specializantë dhe punonjësit tjerë mjekësor.
Paga minimale në Maqedoninë e Veriut arrin në 22.500 denarë (365 euro), ndërsa mesatarja në 39.276 (638 euro). Por, këto paga nuk pasqyrojnë gjendjen reale pasi lartësinë e tyre e diktojnë pagat e kompanive farmaceutike, të shërbimeve kompjuterike dhe të disa ndërmarrjeve tjera me të ardhura të larta./REL