Retorika e ashpërsuar politike me afrimin e zgjedhjeve nuk sjell përfitime për partitë politike por përkundrazi, u sjell atyre pikë negative, shkruan Alsat.
Kështu vlerëson njohësi i zhvillimeve politike Sinisha Pekevski duke komentuar përplasjet dhe akuzat e BDI-së drejtuar Mickoskit dhe koalicionit të mundshëm të tij me opozitën shqiptare VLEN.
“Zhurmën që e bën lideri i BDI-së për momentin nuk çon askund dhe përfundimisht ata duhet ta pranojnë se do të jenë opozitë. E para, qytetarët i dërgojnë në opozitë por e dyta, edhe mbështetësit e tyre në BE ose në SHBA ua bënë të qartë me vendosjen e Ramiz Merkos në listën e zezë se ata janë pjekur për në opozitë dhe se është koha të qetësohet pak gjithë situata”, tha Sinisha Pekevski, analist politik.
Sipas Pekevskit, parimi “fituesi me fituesin” është temë e mbyllur pasi nuk u respektua fillimisht nga vetë BDI-ja.
“Në zgjedhje mund të ketë vetëm një fitues dhe nuk mund të ekzistojë blloku maqedonas, shqiptar, turk, vlleh, rom. Ekzistojnë zgjedhje në të cilat partitë politike bëjnë garë. Fitues i zgjedhjeve me shumë siguri do të jetë VMRO-DPMNE-ja dhe me kë do të bëjë qeveri është zgjedhje e tyre edhe pse oferta deri te VLEN është dorëzuar dhe mendoj se ata tashmë janë marrë vesh se si do të funksionojë ajo qeveri. Parimin e mëhershëm që e imponuan të njohur si “fituesi me fituesin” e shkeli BDI-ja dhe ajo temë më është mbyllur” , u shpreh Sinisha Pekevski, analist politik.
Sipas Pekevskit, pikë negative për partitë në pushtet sjell edhe fajësimi që ditë më parë i bëri LSDM-ja – BDI-së për rezultatin e dobët në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, të partisë maqedonase në pushtet./ Alsat.mk