Ahmeti po më dërgon emisarë dhe dëshiron të hyjë në koalicion qeveritar me VMRO-DPMNE-në, por në të do të jetë Koalicioni Vlen, thotë Mickoski.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, sot në përgjigje të pyetjes së gazetarëve tha se koalicioni i ardhshëm qeveritar do të udhëhiqet nga partia e tij, dhe në të do të jetë koalicioni “Vlen”.
Ai ishte në inspektim të aktiviteteve ndërtimore në Komunën e Aeroportit të Shkupit, ku tha se duhet të respektohet vullneti i qytetarëve për të cilin ata tash më kanë vendosur.
“Nëse analizoni rezultatin e zgjedhjeve do të arrini në përfundimin e mëposhtëm, se kandidatët e qeverisë Stevo Pendarovski dhe Bujar Osmani kanë fituar gjithsej 300 mijë vota. Nëse shikoni rezultatin e votimit nga qytetarët, i cili është rezultat i kryetares së ardhshme Gordana Siljanovska-Davkova dhe kryetarit të komunës së Gostivarit, Arben Taravari, është afër 450.000 vota, që do të thotë një herë e gjysmë më shumë”, vlerëson Mickoski.
Mickoski tha se BDI dëshiron të hyjë në koalicion qeveritar me VMRO-DPMNE, por kritikoi liderin Ali Ahmeti se është i rrethuar nga njerëz që abuzojnë me të.
“Më vjen keq që Ali Ahmeti është i rrethuar me njerëz të cilët po e keqpërdorin atë për të bërë, thënë kushtimisht, kriminalitet dhe grabitje të Maqedonisë, dhe poashtu më vjen keq që Ali Ahmeti duke u rrethuar me këta njerëz, në vend që të përfundojë si pensionist politik dhe të jetë ideolog, ai do të përfundojë si bashkëpunëtor i krimit të njerzve të tij të afërt të cilët, duke filluar nga sot, do të përfundojnë aty ku e kanë vendin, dhe për të cilën opinioni maqedonas dhe të gjithë qytetarët në Maqedoni pa dallim etnie, do të jenë dëshmitarë dhe për të cilat ne kemi një numër të madh të provave”, ka thënë Mickoski.