Site icon Tetova Expres

BE ndan rreth 14 milionë euro për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut

european union blue and gold flags flying in the wind in brussels city in belgium.

Në një hap të rëndësishëm drejt objektivave të pranimit në BE, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nisën sot në Korçë Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA 3.

Financuar nga BE me një buxhet prej 13.79 milionë eurosh, kjo nismë nënvizon angazhimin e të dy vendeve për t’u përshtatur me standardet e BE-së për zhvillimin e qëndrueshëm dhe integrimin rajonal deri 2027.

Përveç lansimit të Programit, u njoftua një thirrje e ardhshme për propozime në kuadër të programit IPA 3, duke ftuar palët e interesuara të marrin pjesë në këtë nismë transformuese.

“Kjo nismë jo vetëm që synon fusha kyçe si qëndrueshmëria mjedisore dhe zhvillimi socio-ekonomik, por shërben gjithashtu si një hap vendimtar drejt qëllimit tonë përfundimtar të integrimit në BE. Thirrja e re për propozime do të hapet shumë shpejt, duke ofruar mundësi të re për projekte me ndikim,” tha Altin Zeqo, drejtor i Konvergjencës dhe Kohezionit me BE-në, SASPAC.

Ndërsa Vullnet Arifi, shef i Departamentit për Koordinatorin e BE-së dhe CBC-së, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, Maqedoni e Veriut, theksoi ndikimin e programit në përshpejtimin e aspiratave të anëtarësimit në BE.

Advertisement

“Duke u mbështetur në themelet e hedhura nga IPA 2, ky program harmonizon politikat tona rajonale me standardet e BE-së, duke hapur rrugën për aderimin e parashikuar. Thirrja e ardhshme për propozime do t’i jep më shumë energji komuniteteve tona për t’u angazhuar thellë me procesin tonë të integrimit në BE,” tha Arifi.

Briseida Gjoza nga Zyra e Antenës Maqedoni-Shqipëri theksoi qasjen gjithëpërfshirëse të programit.

“IPA 3 është projektuar me përpikëri për të rritur aftësitë tona rajonale për të përmbushur kriteret e BE-së, duke u fokusuar në elasticitetin e klimës, turizmin e qëndrueshëm dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Ne inkurajojmë palët e interesuara të përgatiten për thirrjen e ardhshme, e cila premton të forcojë përpjekjet tona bashkëpunuese,” tha Gjoza.

Ndryshe, ky investim strategjik i BE-së përmes programit IPA 3 është dëshmi e përpjekjeve të vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE, duke shënuar një mesazh të drejtpërdrejtë për udhëtimin e tyre drejt integrimit evropian.

Advertisement
Exit mobile version