Sot në vend po mbahet raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale. Të drejtë vote kanë 1.814.317 persona, të cilët mund të zgjedhin mes shtatë kandidatëve Stevo Pendarovski, Gordana Siljanovska Davkova, Stevço Jakimovski, Bujar Osmani, Biljana Vankovska, Arben Taravari dhe Maxim Dimitrevski. Në raundin e parë fitues mund të jetë kandidati që ka fituar shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i votuesve, pra 907.159 vota.
Nëse askush nuk merr shumicën e kërkuar në raundin e parë, dy kandidatët që kanë fituar më shumë vota në raundin e parë shkojnë në raundin e dytë.
Raundi i dytë i votimit zhvillohet brenda 14 ditëve nga përfundimi i raundit të parë të votimit, në këtë rast më 8 maj. President do të zgjidhet kandidati që ka marrë shumicën e votave, nëse në votim kanë dalë më shumë se 40 për qind e zgjedhësve të regjistruar, gjegjësisht 725.727 zgjedhës të parashikuar në Kodin Zgjedhor dhe për të kanë votuar 362.864 zgjedhës.
Nëse në raundin e dytë asnjëri nga dy kandidatët nuk ka marrë numrin e duhur të votave, e gjithë procedura e zgjedhjes përsëritet.
Presidenti i Republikës zgjidhet në zgjedhje të përgjithshme dhe të drejtpërdrejta, me votim të fshehtë, për një periudhë 5-vjeçare. I njëjti person mund të zgjidhet President i Republikës maksimumi dy herë. Presidenti i Republikës duhet të jetë shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
President i Republikës mund të zgjidhet personi që ka mbushur të paktën 40 vjet në ditën e zgjedhjeve. President nuk mund të zgjidhet personi i cili nuk ka qenë banor i Republikës së Maqedonisë së Veriut së paku dhjetë vjet në 15 vitet e fundit, deri në ditën e zgjedhjeve. Zgjedhja për Presidentin e Republikës bëhet në 60 ditët e fundit të mandatit të Presidentit të mëparshëm.