Site icon Tetova Expres

Ditët e zgjedhjeve në mes të javës shkaktojnë telashe për bizneset në Maqedoninë e Veriut

Nga mesnata ka filluar heshtja zgjedhore për zgjedhjet presidenciale, të cilat do të mbahen të mërkurën, më 24 prill, në Maqedoninë e Veriut. Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut mbahen për herë të parë brenda javës dhe jo si zakonisht të dielave kur është ditë pushimi, raporton Radio Evropa e Lirë.

Megjithëse në më pak se 24 orë fillon procesi për zgjedhorë për zgjedhjen e presidentit të shtetit, Qeveria nuk e ka definuar me saktësi nëse dita e zgjedhjeve do të jetë ditë e detyrueshme jo pune për sektorin privat dhe si do t’i paguajë punëtorët e angazhuar atë ditë në sektorë të caktuar, ku nuk guxon të ndërpritet procesi i punës.

“E mërkura e 24 prillit dhe ajo e 8 majit të vitit 2024 janë ditë jo pune për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve për president të Republikës të Maqedonisë së Veriut dhe zgjedhjeve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ato ditë nuk do të zëvendësohen me ditë tjera”, theksohet në kumtesën e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale pa dhënë detaje të tjera.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale akoma nuk ka sqaruar si do të paguhen punëtorët që duhet të punojnë edhe në ditë e zgjedhjeve.

Mile Boshkov nga Konfederata e punëdhënësve, thotë për REL-in se në shoqëritë demokratike vota është e shenjtë dhe dita e zgjedhjeve duhet trajtuar si festë demokratike ku çdo qytetar do të ketë mundësinë të votojë dhe kjo çështje duhej rregulluar me ligj ashtu siç është në vendet e tjera të Evropës.

Advertisement

“Vlerësojmë se para marrjes së vendimit që këto ditë të shpallen ditë jo pune, institucionet por edhe Qeveria, duhej të konsultoheshin me sektorin e biznesit, gjegjësisht Odat Ekonomike rreth kostos që do të paguajë biznesi me ndërprerjen e punës në mes të javës”, thekson për REL-in, Durim Zeqiri, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.

Ndryshe, tregtarët nuk lejohen të punojnë nesër dhe më 8 maj, njofton Inspektorati Shtetëror i Tregut. Në njoftimin e Inspektoratit të Tregut thuhet se punëdhënësit nuk mund të punojnë në ditën e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, me përjashtim të atyre ku proceset e punës nuk mund të ndërpriten për shkak të natyrës së tyre.

Kandidatët për kreun e shtetit dje kishin ditën e fundit për të promovuar fushatën e tyre për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Sot është heshtje zgjedhore, e cila do të zgjasë deri nesër, më 24 prill deri në orën 19:00, pra deri në mbylljen e qendrave të votimit. Raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 8 maj, atëherë kur do të mbahen edhe zgjedhjet e rregullta parlamentare.

Exit mobile version