Site icon Tetova Expres

Gjermania arreston dy persona nën dyshimin se spiunonin për Rusinë

Dy gjermano-rusë janë arrestuar në Gjermani nën dyshimet për spiunazh. Njëri prej tyre akuzohet se është pajtuar të kryejë sulme ndaj caqeve potenciale, përfshirë edhe ndaj ndërtesave të ushtrisë amerikane, me qëllim që të sabotohet ndihma për Ukrainën, thanë prokurorët më 18 prill.

Të dyshuarit, të identifikuar si Dieter S. dhe Alexander J., u arrestuan të mërkurën në qytetin Bajrojt të Bavarisë, thanë prokurorët federalë.

Prokurorët thanë se Dieter S. kishte diskutuar për akte të mundshme sabotuese në Gjermani me një person të lidhur me inteligjencën ruse që nga tetori, dhe se qëllimi kryesor ishte të minohej mbështetja ushtarake që Gjermani jep për Ukrainën. I dyshuari ishte deklaruar i gatshëm që të kryente sulme me bomba dhe zjarrvënie ndaj infrastrukturës të përdorur nga ushtria dhe ndërtesat industriale në Gjermani, thanë prokurorët përmes një deklarate.

Ai kishte mbledhur informacione lidhur me caqe potenciale, përfshirë edhe ndaj ndërtesave ushtarake të SHBA-së, thanë prokurorët. Sipas tyre, Alexander J. supozohet se i ka ndihmuar atij që këto sulme t’i kryente më vonë. Dieter S., po ashtu, sipas prokurorëve kishte bërë fotografi dhe video të pajisjeve ushtarake dhe ndërtesave dhe ia kishte dorëzuar këto informacione kontaktit të tij në inteligjencën ruse.

Dieter S. po ashtu përballet me një akuzë tjetër, përkatësisht për pjesëmarrje në një njësi të armatosur të separatistëve pro-rusë në rajonin e Donjeckut, në lindje të Ukrainës. Ai dyshohet se kishte qenë anëtar i kësaj njësie nga dhjetori i vitit 2014 deri në shtator të vitit 2016.

Advertisement

Ndryshe, Gjermania është furnizuesja e dytë më e madhe – pas Shteteve të Bashkuara – e armëve për Ukrainën, pasi Rusia nisi pushtimin e shtetit fqinj mbi dy vjet më parë. SHBA-ja, ndërkaq, ka prani të madhe ushtarake në Gjermani.

Exit mobile version