Punonjësit në institucionet kulturore shprehen të revoltuar për mos marrjen e pagës për muajin mars, të harmonizuar sipas Marrëveshjeve kolektive prandaj nga nesër kanë paralajmëruar protestë para Ministrisë së Kulturës, shkruan Alsat.
Nga Sindikata e Kulturës thanë se për disa ditë tre mijë punonjës kulturorë bashkë me familjet e tyre do të mbesin edhe pa sigurim shëndetësor.
“Edhe sot, më 18 prill, nuk ka ende pagë për muajin mars. Të gjithë e dimë shumë mirë që sa herë që zbatohen marrëveshjet kolektive dhe bëhen premtime financiare, ato duhet të harmonizohen me Ministrinë e Financave. Pavarësisht arsyes, efekti mbetet i njëjtë, një fuqi punëtore kulturore e demoralizuar dhe një kulturë kombëtare në kolaps, në prag të protestave dhe grevës”, tha Vera Atanasovska, kryetare e Sindikatës për kulturë.Kreu i SASHK-ut, Jakim Nedellkov tha se sipas harmonizimit të pagave me pagën minimale në vend, paga e muajit mars duhet të rritet me 12 për qind. Llogaritjet janë përgatitur nga institucionet e kulturës, por nuk ka asnjë miratim nga Ministria e Financave, pavarësisht premtimeve të Ministrisë së Kulturës.
“Fatkeqësisht, premtimet e forta të ministres të postuara në faqen e saj në Facebook më 1 prill se problemi është tejkaluar dhe se nuk është ashtu siç sindikatat po përpiqen të spekulojnë dhe të krijojnë trazira në mesin e anëtarëve, duket se kanë qenë një shaka e 1 prillit e ministres dhe mund të themi se planet e tyre të errëta për të rritur pagat në veprimtarinë e kulturës me vetëm 2 për qind, po përpiqen t’i realizojnë. Por definitivisht SASHK-u nuk do të lejojë pagesën e pagës në kundërshtim me Marrëveshjen Kolektive për aktivitetin kulturor”, u shpreh Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.
“Është e papranueshme që kjo të ndodhë me ne, sidomos 15 ditë para zgjedhjeve. Është e palejueshme të kërkojnë votën tonë 15 ditë para zgjedhjeve, duke mos na paguar siç duhet. Flasim për rroga, jo për ryshfet dhe korrupsion”, tha Sllobodan Trendafillov, kryetar i LSM-së.