Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur hakmarrje të Serbisë ndaj votimit në favor të anëtarësimit të Kosovës në KiE, ndalimin e mbi 300 qytetarëve nga Kosova në kufi të mërkurën.
Autoritetet serbe kanë ndaluar sot autobusë me udhëtarë nga Kosova, në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë.
Kryeministri tha se qytetarët e ndaluar janë të privuar nga mjekimi dhe ushqimi.
“Një ditë pasi Asambleja Parlamentare e KiE votoi në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Serbia hakmerret kundër civilëve kosovarë. Që nga mëngjesi i sotëm, mbi 300 qytetarë tanë — përfshirë fëmijë — janë mbajtur arbitrarisht në kufi, janë privuar nga ushqimi dhe mjekimi. Një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut!”, tha Kurti.
“Të gjithë udhëtarët luten që të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë”, u tha në njoftimin e përbashkët të MPJD-së dhe MPB-së.
Ndërkaq, MPJD-ja përmes një njoftimi të ndarë për media, tha se pak orë pasi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill u mbështet anëtarësimi i Kosovës, institucionet janë njoftuar se në pikën kufitare të Serbisë me Kroacinë në Batrovci, autobusët e Kosovës, që po kalonin transit, janë ndaluar nga autoritetet kufitare serbe. Po ashtu, e njëjta situatë është edhe në pikëkalimin në Shid.