Dhunë në familje, probleme me shëndetin mendor, shpërfillje në shkollë dhe shoqëri, e madje 10 telefonata me paramendim për vetëvrasje. Këto janë vetëm disa nga 307 denoncimet që të miturit, posaçërisht të moshës 13 deri në 15 vjeç kanë shprehur gjatë vitit 2023 në linjën telefonike 24 orëshe të Ambasadës së parë të fëmijëve “Megjashi”. Psikologët apelojnë të flitet hapur për këto çështje, pasi sipas tyre, ato mundë të jenë shqetësime të përkohshme.“Është shumë e rëndësishme të flasim hapur. Është një mit që nëse flasim për vetëvrasje do ta nxisim atë, përkundrazi në këtë mënyrë thyejmë tabunë, duhet te flasim. Ndoshta jo të gjithë dëshirojnë të mos jetojnë, kjo mundë të jetë momentale ose si zgjidhje e vetme. Përmes bisedës i ndihmojmë të sheh edhe mundësitë e tjera se ajo të zgjidhet”, deklaroi Jordanka Trajkoska, psikologe.Sipas drejtuesve të Megjash-it, sistemi shkollor duhet të jetë edhe edukativ dhe i aftë të zbulojë fëmijët me probleme të ndryshme.“Gjashtë deri në tetë orë fëmijët janë në shkollë, ato janë 200 ditë në vit. Nëse këtu nuk dallohen devijime të caktuara në sjelljen e fëmijës atëherë ne fëmijën e kemi të humbur. Prindi nuk ka plotësuar mjaftueshëm përgjegjësinë prindërore, jo çdo prind ka kapacitet të dallojë sjelljet jo të duhura të fëmijëve. Fëmija përsërit rastet dhe i përcjell në shkollë, këtu nuk ka korrigjues dhe thjesht fëmija mbetet në rrugë”, u shpreh Dragi Zmijanac, nga Ambasada “Megjashi”.Sipas grupmoshës, shumica e denoncimeve kanë të bëjnë me fëmijët e moshës 13 deri në 15 vjeç, pastaj 10 deri në 12 vjeç dhe 7 deri në 9 vjeç. Sipas ambientit të banimit, numri më i madh i fëmijëve jetojnë në një mjedis urban ndërkohë që numri i telefonuesve nga zonat rurale, si në vitet e kaluara, mbetet shumë i vogël. Sa i përket përkatësisë etnike, 230 nga numri i përgjithshëm janë maqedonas, 14 romë dhe 33 janë shqiptarë. Raporti “Alo Bushavko”, përfshinë periudhën nga 1 janar deri më 31 dhjetor 2023, për problemet që lidhen me të drejtën, mbrojtjen nga dhuna, të drejtën për arsimim dhe të drejtën e aksesit në institucione të tjera.TV KOHA