Pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme brenda strukturave të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe mungesës së debatit të brendshëm, u nxit fraksioni i quajtur “Grupi i Zjarrit”, e cila udhëhiqej nga Izet Mexhiti, Musa Xhaferi, Blerim Bexheti, Nevzat Bejta dhe të tjerët.
Pakënaqësia e udhëheqësve të vjetër të partisë ishte e orientuar tek qeverisja e keqe e funksionerëve të BDI-së, kryesisht ndaj Artan Grubit dhe Bujar Osmanit, të cilën i akuzonin si keqpërdorues të pushtetit dhe përvetësues të interesave të partisë, gjithmonë në kurriz të liderit Ali Ahmeti.
Sa më shumë fryhej në media tensioni politik në BDI, aq më e ashpër bëhej fushata e brendshme partiake. Përderisa nënkryetari i partisë Izet Mexhiti vendosi të ndaj rrugët me BDI-në, grupi tjetër inicues u tërhoq nga ideja e Izet Mexhitit për veprim të ri politik duke zgjedhur rrugën më të lehtë, atë të rikthimit në folenë e vjetër.
Por rikthimi në folenë e vjetër nuk ishte falas, ajo u shpërblye me benefite të shumta në listat e fundit zgjedhore për “ujqërit e vjetër” të partisë, duke u’a rikthyer fuqinë politike dhe vendimarrjen si në mandatet e para qeverisëse të BDI-së.
Paralelisht me rikthimin e benefiteve politike, kushtëzimi dhe hapi tjetër i strukturave të vjetra brenda partisë lidhet me largimin e Artan Grubit nga strukturat udhëheqëse të partisë mënjëherë pas zgjedhjeve parlamentare dhe mos votim të ekzekutivit të ri në rast se ai propozohet në ndonjë prej pozitave ekzekutive në shtet.
Fuqizimi i strukturave të vjetra të partisë dhe anashkalimi i funksionerëve dhe ministrave aktual, ishte porosi e qartë se kryetari Ahmeti i besoi “misionarëve” të partisë e jo “politikanëve” siç i emërtoi Sadulla Duraki strukturat e reja në parti, njëherit bartës listës në zonën e 2-të zgjedhore, në një debat të njohur televiziv.
Kandidimi i mikut të vjetër të Aliut, Musa Xhaferit në zonën e 5-të zgjedhore u cilësua edhe si një rikthim i madh i tij në udhëheqjen e partisë, e i cili ishte ndër zërat më kritik kundër Artan Grubit dhe të tjerëve brenda BDI-së.
A është ky vendim i Ali Ahmetit një porosi për rikthimin strategjik në krye të partisë së gardës së vjetër dhe rrënimi i fuqisë ekzekutive dhe partiake të Artan Grubit?