Mos votimi i ndryshimeve të Kodit Zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR tregon se partitë nuk dëshirojnë t’i braktisin praktikat e vjetra të cilat mundësojnë shumë mjete financiare dhe resurse shtetërore në interes të partive dhe jo në interes publik. Kështu vlerëson kryetari i Institutit për Demokraci “Societas civilis”, Marko Troshanovski.
“Kemi situatë ku një kompani paraqet nga katër, pesë portale, prej të cilave çdokush do të mund të marrë nga 15 mijë euro, para për të cilat ka indikacie serioze se keqpërdoren ose për rifinancim të fushatave ose përfundojnë ne xhepa privat. Momenti i dytë është përdorimi i veturave në fushatë. Deri më tani rreth 400 nga mbi 1.500 institucionet i kanë paraqitur veturat e tyre zyrtare, përkatësisht tabelat e tyre të regjistrimit që qytetarët të mund të shohin nëse i përdorin në fushatë”, tha Troshanovski.
Duke folur për fushatën zgjedhore, Troshanovski tha se deri më tani ka qenë e denjë sa i përket mediave tradicionale. Ndërkaq, sipas tij, pjesa më e madhe e fushatës së zezë dhe të ndryrë është zhvilluar në rrjete sociale.
“Ajo do të radikalizohet në mënyrë të pashmangshme me afrimin e fundit. Nuk kemi qenë ende dëshmitarë të përballjeve politike, ku më së shumti dalin në shesh këto dukuri negative në komunikimin politik”, tha Troshanovski.
Sa i përket ndryshimeve kushtetuese dhe anëtarësimit në BE, Troshanovski tha se ndryshimi i kornizës negociuese është kryesisht skenar i pamundur, duke shtuar se, vendi nuk ka kapital diplomatik për të bërë një gjë të tillë.