Sot në një atmosferë impozante në Tetovë, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami ka bërë prezantimin e projektit për Stadiumin e ri të Qytetit.
Në fjalën e tij, kryetari, Kasami mes të tjerava ka thënë se deri më tani shumë herë është premtuar e stërpremtuar, e asnjëherë nuk është realizuar, duke potencuar se me Stadiumin e Qytetit të Tetovës janë fituar vetëm pikë politike.
“Të dashur tetovarë, deri më sot, shumë politikanë dhe parti,kanë premtuar për ndërtimin e Stadiumi, në të cilin do të zhvillohej sporti dhe sukseset e sportistëve tetovarë. Por asnjëherë ky premtim nuk u realizua”, ka thënë Kasami.
Sot, në qytetin e Tetovës, në Stadiumin e Qytetit u bë prezantimi i projektit për stadiumin e Tetovës, të cilin qytetarët e presin me vite të tëra.
Vlera e kontratës së punimeve është 599.931.520 denarë (rreth 9.7 milionë euro), ndërsa vlera e TVSH-së është e shprehur veçmas në vlerë prej 107.987.673 denarë.
Me projektin janë të parapara edhe Qendra Sportive dhe Rekreative e qytetit si dhe terreni sportiv në fshatin Saraqinë.
Sipas kontratës, punimet duhet të mbarojnë brenda tre viteve nga data e hyrjes në punë të kontraktuesit pas lidhjes së kontratës.