Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka shpalosur një lajm emocionues për të gjithë bashkëqytetarët në një tubim masiv në stadiumin e qytetit. Ai deklaroi se “Erdhi Dita” për të ndërtuar një Arenë Sportive në Tetovë, një dëshirë dhe një premtim që nuk është mbajzur për më shumë se gjysmë shekulli.
Kasami rikujtoi historinë e krenarisë tetovare dhe sukseset e Shkëndijës në këtë stadium, që, megjithë gjendjen mizore, ka qenë shpirti i tyre për më shumë se 50 vite. Ai nderoi edhe kontributin e grupit të tifozëve “Ballistët” dhe besimin e tyre të palëkundur në ndërtimin e një infrastrukture të re sportive.
Në fjalën e tij, ai shprehu keqardhjen për gjendjen aktuale të stadiumit të vjetër dhe theksoi se tetovarët dhe Shkëndija nuk kanë hequr dorë nga dëshira për sukses edhe në kushte të vështira.
Kasami nënvizoi se Tetova meriton një Arenë Sportive të nivelit europian, ku të organizohen jo vetëm ndeshje lokale, por edhe kampionate europiane. Ai përmendi se koha për realizimin e premtimit dhe besës së dhënë është tani.
Në përfundim, Kasami bëri thirrje që të gjithë të mbajnë kokën lart dhe të ndjehen krenarë për atë që po arrihet sot. Ai shprehu gëzimin dhe padurimin për të parë Arenën e re Sportive të Tetovës, duke i ftuar të gjithë të bashkohen në këtë rrugë drejt një vizioni të madh për sportin dhe qytetin.
Përndryshe, vlera e kontratës së punimeve është 599.931.520 denarë (rreth 9.7 milionë euro), ndërsa vlera e TVSH-së është e shprehur veçmas në vlerë prej 107.987.673 denarë.
Me projektin janë të parapara edhe Qendra Sportive dhe Rekreative e qytetit si dhe terreni sportiv në fshatin Saraqinë.
Sipas kontratës, punimet duhet të mbarojnë brenda tre viteve nga data e hyrjes në punë të kontraktuesit pas lidhjes së kontratës.