Kriteret për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian janë shumë të qarta. Nuk pres ndonjë ndryshim në kuadrin negociator, thotë Komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Çështjet e Fqinjësisë Oliver Varheyi në një deklaratë për agjencinë bullgare BGNES.
I pyetur nga BGNES nëse ka ndonjë mundësi për ndryshimin e kushteve që RMV duhet të plotësojë, duke pasur parasysh se një numër i madh i politikanëve maqedonas pretendojnë se mund të ketë ndryshim në Kornizën Negociative për Shkupin, Varheji përgjigjet:
“Kriteret janë shumë të qarta që nga viti 2022, kur u miratua Korniza negociative. Ato duhet të plotësohen dhe në këtë kuptim nuk pres ndonjë ndryshim. Unë nuk mendoj se shtetet anëtare do të duan të rishikojnë ndonjë nga kushtet. Është e qartë se ato duhet të përmbushen. Shpresoj se menjëherë pas zgjedhjeve qeveria e re në Maqedoninë e Veriut do ta marrë përsipër këtë punë dhe ne do të vazhdojmë të përmbushim kriteret”.
Opozita VMRO-DPMNE njoftoi se nëse vjen në pushtet do të pranojë përfshirjen e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë, por me zbatim të vonuar – pas hyrjes së Maqedonisë në BE. Këtë angazhim programor tashmë zyrtar të partisë e bëri të ditur nënkryetari i partisë Timço Mucunski, i cili bëri të ditur se politikës së jashtme lëshuese po i vjen fundi.
Pas kësaj ka reaguar portali bullgar Faktor.bg, i cili i ka bërë thirrje MPJ-së bullgare të mos hesht për “manipulimet parazgjedhore të VMRO-DPMNE-së”.
“Pretendimi i nënkryetarit të VMRO-DPMNE-së së Maqedonisë se është e mundur të ndryshohet korniza negociuese mes Shkupit dhe BE-së për të shtyrë përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e vendit ende mbetet pa reagim nga shteti bullgar dhe partitë politike: As Ministria e Punëve të Jashtme dhe as Presidenca nuk po reagojnë për shtyrjen pa afat të ndryshimit, pa të cilin RMV nuk do të mund të vazhdonte negociatat për anëtarësim në BE”, komentoi ndër të tjera “Faktor”.
Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikoloski në një intervistë për “360 Gradë” javën e kaluar ka folur edhe për atë që thuhet në programin parazgjedhor të partisë, “Platforma 1198”, për ndryshimet kushtetuese.
Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.