Më 8 prill 2024, 15:42 ora lokale, miliona njerëz do të kenë mundësi ta shikojnë një eklips total diellor.
Një eklips i plotë diellor do të ndodh më 8 prill në Amerikën e Veriut, duke kaluar mbi Meksikë, SHBA dhe Kanada.
Eklipsi diellor ndodh kur Hëna kalon mes Diellit dhe Tokës duke e kthyer ditën në natë. Ai do të zgjasë për rreth 4 minuta dhe 28 sekonda, pra gati sa dyfishi i kohës së atij që ndodhi më 21 gusht të 2017 në SHBA.
Sipas mediave të huaja pritet që trafiku do të rëndohet për shkak se përveç vendasve miliona njerëz të tjerë priten që të udhëtojnë për të parë këtë fenomen natyror.
“Një eklips total diellor është një nga pamjet më të bukura të natyrës dhe mund të jetë i rrallë kudo në galaktikë”, tha profesori i astrofizikës në Universitetin e Oksfordit, Chris Lintott.
Shkencëtarët e NASA-s janë veçanërisht të interesuar për njohuritë e reja rreth koronës së Diellit që mund të fitohen kur ata dërgojnë aeroplanë kërkimor në një lartësi prej rreth 15 kilometrash gjatë eklipsit.
Korona e Diellit është një mister për shkencëtarët, sepse është qindra herë më e nxehtë se sipërfaqja e Diellit dhe burimi i erës diellore.
Në studimin e këtij fenomeni pritet të marrin pjesë qindra qytetarë, duke matur qetësinë e shpendëve dhe kafshëve të tjera, rënien e temperaturës në Tokë dhe efektin në kanalet e komunikimit.