Site icon Tetova Expres

Ibrahimi është sulmuar edhe më herët! Ajvazi mohon se është i përfshirë: Isha në punë

Për kryetarin e komunës së Haraçinës, Ridvan Ibrahimi, nuk është hera e parë të përfshihet në një incident të këtillë. Një vit më parë Ibrahimi dhe personeli komunal morën kërcënime me jetë.

“Jo vetëm që mua personalisht si kryetar komune më kërcënojnë por edhe tërë administratën komunale. Andaj, mu për këtë shkak, nga dita e martë prej kur ndodhi edhe incidenti i fundit, deri në ditët në vijim, administrata komunale nuk do të jetë në funksion, për shkak të kërcënimeve që vijnë nga persona të caktuar që shkaktojnë incidente”, pati thënë Ibrahimi më 25 maj 2023.

I gjithë problemi ishte shkaktuar për një pronë tokësore tek e cila është paraparë të ndërtohet një fushë futbolli për klubin futbollistik Shkëndija, ndërsa e njëjta sipas kryetarit, është uzurpuar nga persona të njohur për të dhe organet e rendit.

Atëherë Ibrahimi fajësonte ish kryetarin e Komunës Brahim Ajvazin, por ky i fundit i mohoi akuzat. Ai madje kërkoi që në këtë konflikt të ndërhyjë kryetari i BDI-së që, siç tha të mos vij deri te më e keqja.

“Një apel ia kisha bërë edhe kryetarit të partisë, sidomos Ali Ahmetit, nuk është dashur të na lë që të dalim në mediume për të dhënë deklarata, është dashur të na thirr, të na ulë dhe të na pyes hallet se ku janë e ku nuk janë…dhe nuk është puna që ne jemi prerë e jemi vrarë e nuk mund t’i zgjidhim problemet. Dialogu i zgjidh problemet, por nëse shkon kështu, ndoshta mund të vijë edhe te më e keqja”, pati thënë Brahim Ajvazi më 25 maj 2023.

Advertisement

Por nuk dihet nëse incidenti i sotëm ka të bëjë me konfliktin e njëjtë. TV21 kontaktoi Ajvazin e ai mohoi të jetë i përfshirë. Tha se deri sa ka ndodhur sulmi ndaj Ibrahimit ai ka qenë në punë. Ndërkohë Ibrahimi i ishte i paqasshëm.

Exit mobile version