Site icon Tetova Expres

Nga Shkupi në Mekë me biçikletë

Dy çiklistë nga Ballkani kanë nisur sot udhëtimin sfidues “Skopje to Mekkah 2024”, nga Shkupi në Mekë me biçikletë, duke synuar të përmbushin kushtin e pestë të Islamit, Haxhin, raporton Anadolu.

Bëhet fjalë për 57-vjeçarin Qamuran Hirda nga Shkupi dhe 60-vjeçarin Adem Aljiq nga Graçanica, Bosnje e Hercegovinë.

Hirda, një alpinist dhe çiklist, shprehet se përkundër faktit që për shumë vite është aktiv në çiklizëm, i është dashur një përgatitje më specifike për këtë udhëtim, si psikike, fizike ashtu edhe financiare.

Ai rikujton se më herët kanë ndërmarrë udhëtime të ngjashme me biçikleta nga Ballkani për të nderuar dëshmorët e Çanakkale-s, por thekson se shkuarja në Haxh me biçikletë është një sfidë shumë më e madhe.

“Këtë herë do të jetë pak më ndryshe, kjo është sfida ime më e madhja. Do të bëhen afërsisht diku katër mijë kilometra. Rutën e kemi prej Shkupit, nga Bullgaria deri në Turqi (Türkiye). Nëpërmjet Çanakalasë (Çanakkale) kalojmë mandej në Bursa, Konya, deri në fund të Turqisë atje në kufi me Sirinë, në Adana ose Gaziantep”, tha Hirda.

Advertisement

– “Me biçikletë shijoj natyrën dhe gjithçka si i ka falë Zoti”

Ndonëse kanë pasur dëshirë që gjithë udhëtimin ta bëjnë me biçikletë, ai shprehet se kjo nuk është e mundur për shkak të luftës në Siri, andaj nga pjesa juglindore e Türkiyes do të udhëtojnë me aeroplan deri në Aman të Jordanisë. Prej aty, sërish do të vazhdojnë udhëtimin me biçikletë deri në Mekë.

Ai shprehet se nuk do të nxitojë gjatë udhëtimit dhe të njëjtin planifikon ta kryejë për dy muaj, ndonëse mundet edhe më herët. Hirda thotë se do të ndalojë dhe vizitojë qytetet e ndryshme gjatë rrugës, duke u njoftuar me traditat, xhamitë dhe monumentet e qyteteve.

“Gjatë kësaj, pse jo, ta shijojmë edhe këtë pranverë të bukur që po na vjen, me këtë gjelbërim të mirë, t’i shijojmë edhe malet, liqenet, lumenjtë, e gjithçka që shohim para nesh. Më thonë disa ‘pse nuk shkon me aeroplan, pse ti shkon me biçikletë?’. Është dikush që nuk mund ta kuptojë. I them ‘me biçikletë un shoh gjithçka para vetes, shijoj natyrën dhe gjithçka si i ka falë Zoti. Dua ta shijoj në këtë mënyrë, edhe këtë obligim që e kam fetar, dua ta kryej në këtë mënyrë”, tha Hirda.

Ai gjithashtu thotë se nëpërmjet udhëtimit të tij dëshiron të përçojë një mesazh sensibilizues për mjedisin.

Advertisement

“Unë këtë rrugëtim e bëj me mijëra kilometra me biçikletë, në fund, për t’u dhënë një mesazh popullatës se ‘mos ecni me vetura, largojuni veturave, por ecni me biçikleta, mos e ndotni ajrin”, tha Hirda

– “Familja ime më ka mbështetur dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua”

Bashkë me çiklistin Qamuran Hirda, udhëtimin do ta bëjë edhe mjeku 60-vjeçar nga Graçanica e Bosnje e Hercegovinës, Adem Aljiq.

Ai tashmë i ka bërë rreth 700 kilometra udhëtim vetëm për të arritur nga Bosnje e Hercegovina në Shkup dhe shprehet se për këtë udhëtim është përgatitur si fizikisht, ashtu edhe psikikisht.

Aljiq gjithashtu thotë se do të agjërojë gjatë udhëtimit, pasi nuk e kupton këtë udhëtim “sikur ekskursion”.

Advertisement

“Jemi duke jetuar në periudhën më të vështirë që nga fillimi i historisë, që kur këmba e njeriut shkeli në tokë, kështu që pa mbaruar jetën dhe periudhën e saj aktive, unë dhe shoku im Qamuran vendosëm të kryejmë obligimin e pestë islam, haxhin, Inshallah”, tha Aljiq, duke shtuar se ka pasur gjithashtu mbështetjen e familjes.

“Familja ime më ka mbështetur dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua. Do të doja të them se nuk do të kishte kuptim të filloni këtë projekt dhe të lini dikë në pikëllim, në varfëri dhe nga ky këndvështrim gjithçka është në rregull”, tha Aljiq.

Exit mobile version