Pesë klube nga liga e parë e futbollit maqedonas dhe dy nga liga e dytë janë nën hetim për kurdisje ndeshjesh.
Policia me mbështetjen e Prokurorisë Publike, ka hyrë në selinë e Federatës së Futbollit të Maqedonisë, me qëllim që të mbledhë më shumë informacione për klube dhe zyrtarë që dyshohen për trukime të ndeshjeve të futbollit.
I menjëhershëm ishte reagimi i Federatës së Futbollit të Maqedonisë. Përmes një kumtesë FFM-ja ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në luftën kundër kurdisjeve të ndeshjeve të futbollit.
“Ministria e Punëve të Brendshme ka kërkuar informacion nga Federata e Futbollit të Maqedonisë, që para së gjithash ka të bëjë me aktet që rregullojnë garën, procesverbalet e ndeshjeve zyrtare në kuadër të garave të organizuara nga FFM-ja, pastaj kalendarin e kampionateve të garave vendore. Në kuadër të kompetencave të saj, të cilat para së gjithash i referohen mbrojtjes së integritetit të garës, FFM-ja bashkëpunon tërësisht me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe autoritetet”, thonë nga Federata e Futbollit të Maqedonisë.
Procedura ka nisur pas informacioneve dhe rekomandimeve nga “Sportradar”, organ i Interpolit dhe UEFA-s që synon luftën kundër kurdisjeve të ndeshjeve.