Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, partitë politike shqiptare do të garojnë në dy tabore. VLEN-i kundër Frontit Europian. E para përbëhet nga katër parti politike, ndërsa Fronti Europian nga shtatë parti politike, duke përfshirë Lidhjen e Romëve, Partinë Demokratike Turke dhe eventualisht ASh krahu i Selës. Nëse bashkimin e partive multi nacionale e kemi parë te tabori maqedonas, kjo për herë të parë ndodhë te partitë shqiptare. Ky koalicion i Frontit Europian, sipas Izet Mexhiti nga koalicioni VLEN, nuk do të mbijetojë as 24 orë pas zgjedhjeve sepse sipas tij, nëse BDI nuk hynë në Qeveri, partitë më të vogla do ta braktisin.
“Të cilët BDI-ja mund t’i mbanë vetëm nëse është pjesë e Qeverisë, nëse është opozitë, shkruani ku të doni, brenda 24 orëve do të përgjysmohet ajo listë dhe do t’i takojë taborit tjetër. Sepse nuk janë aty përshkak qëllimeve të përbashkëta, nuk janë përshkak idealeve, i ka bashkuar vetëm interesi qeveritar, ndarja e resoreve, ndarja e të mirave qeveritare”, tha Izet Mexhiti – kryetar i LD.
E nga ana tjetër, Blerim Bexheti nga Bashkimi Demokratik për Integrim, para pak ditësh në Click Plus tha se përpjekjet e opozitës për t’u bashkuar janë të kota sepse në çdo cikël zgjedhor është i njejti refren dhe assesi nuk arrijnë ta fitojnë BDI-në.
“Në çdo cikël zgjedhor, parlamentare apo lokale, opozita, partitë politike shqiptare që janë oponencë e BDI-së, kanë bërë përpjekje që të shesin sikur janë bashkuar dhe të krijojnë një mobilizim, gjoja sot është momenti dhe dita, në këto zgjedhje do e mundim BDI-në por jemi dëshmitarë se në çdo cikël është i njejti refren, e njejta frazë e refrenit. Por në çdo cikël BDI ka dalë fitues”, theksoi Blerim Bexheti – BDI.
Por si arritën të bashkohen të gjitha këto parti shqiptare dhe nga ku burojnë? Nëse BDI dhe PDSH kanë përvojë më të gjatë në skenën politike, partitë tjera kanë lindur më vonë si rezultat i pakënaqësive dhe përçarjeve brenda partiake. Me përçarje është përballur çdo parti politike deri tani. Nga Lëvizja Besa e cila edhe pak muaj mbushë 10 vjet, deri tani kanë dalë edhe tre liderë të tjerë që kanë formuar parti të tyre politike. Afrim Gashi doli nga Besa dhe formoi Alternativën. Arjanit Hoxha doli nga Besa dhe formoi Partinë Demokratike Europiane. Skender Rexhepi edhe pse së fundmi u shkëput nga Alternativa, në fillim edhe ai ishte pjesë e Lëvizjes Besa, formoi Lëvizjen Populli. Nga PDSH u formua fillimisht LR-PDSH e që më pas u ribrendua në Aleancë për Shqiptarët. Por edhe kjo parti së fundmi u përça në dy pjesë me dy kryetarë të ndryshëm, Arben Taravarin dhe Ziadin Selën. Derisa Gjykata e Tetovës të sjellë një vendim se kujt do t’i përket partia, që të dy kanë ndarë rrugët për pjesmarje në zgjedhje, njëri me VLEN-in e tjetri me shumë gjasa me Frontin Europian. Edhe kreu i Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti, partinë e formoi pas daljes së tij nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Mirëpo ashtu siç thonë të gjithë aktorët politik, në politikë kurrë mos thuaj kurrë, dhe e pamundura gjithmonë bëhet e mundur. Thuajse të gjithë ata përfaqësues politik të cilët kanë sharë, kritikuar e ofenduar njëri tjetrin, tani përsëri janë bashkuar për në zgjedhje. Shembujt më të freskët i kemi me tre krerët politik Menduh Thaçin, Skender Rexhepin dhe Arjanit Hoxhën, të cilët karierën politike e kanë ndërtuar me narrativ anti-BDI. E njejta situatë është edhe te VLEN ku Afrim Gashi e Bilall Kasami u përçanë dhe sulmonin njëri tjetrin për vulat e partisë. Kritika nga të dy nuk kanë munguar as ndaj Izet Mexhitit dhe anasjelltas.