Ministria e Mbrojtjes dhe Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me vetëqeverisjen lokale, sot me fillim prej orës 15:00 në sheshin Aleksandria në Prilep organizojnë ditë të hapur për qytetarët.
Ngjarja është pjesë e aktiviteteve me të cilat shënohen 75 vjet nga formimi i NATO-s dhe njëherësh katër vjet nga anëtarësimi ynë në Aleancë.
Në ditën e hapur, të pranishmit do të kenë mundësi të njoftohen me sistemet artilerike dhe mjetet nga batalioni artilerik, armatosje, pajisje ushtarake dhe automjete nga më shumë njësite, në mesin e të cilëve nga njësitet e këmbësorisë, batalionit të policisë ushtarake, batalionit për lidhje dhe batalionit të zbulimit.
Qytetarët gjithashtu do të kenë rast t’i ndjekin aftësitë luftarake të pjesëtarëve të batalionit për forca speciale dhe aftësitë alpiniste të renxherëve nga përbërja e batalionit të zbulimit.
Aktiviteti do të ndiqet nga shefi i Shtatmadhorisë, gjeneral nënkolonel Vasko Gjurçinovski dhe përfaqësues të vetëqeverisjes lokale.
Dita e hapur në Prilep është pjesë e ngjarjeve të planifikuara të cilat organizohen në shtatë qytete në brendi dhe në Shkup me të cilat shënohet 75-vjetori i formimit të NATO-s dhe katër vjet anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO.
Më parë, qytetarët e Strumicës, Kavadarit, Shtipit dhe Tetovës patën mundësi të marrin pjesë në këto ngjarje, ndërsa ditë të tilla të hapura vijojnë në Shkup, Ohër dhe Kërçovë.