BE-ja do të vendosë një tarifë deri në 50% për importet e grurit nga Rusia, mes frikës se Kremlini mund të vërshojë bllokun me grurë të lirë për të destabilizuar tregun evropian.
Propozimi, i shpallur nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pason një lutje të enjten drejtuar udhëheqësve të BE-së nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të bërë diçka në lidhje me grurin e “vjedhur” nga rusët nga territoret e pushtuara, raportoi The Guardian.
“Ne propozojmë vendosjen e tarifave për këto importe ruse për të zbutur rrezikun në rritje për tregjet tona dhe fermerët tanë. Ato do të zvogëlojnë kapacitetin e Rusisë për të shfrytëzuar BE-në për të mirën e makinës së saj të luftës”, është shprehur von der Leyen.
Drithërat ruse kanë tarifa të ulëta ose aspak doganore kur shiten në BE, por propozimi do të çonte në vendosjen e një tarife prej 95 € për ton grurë, e cila aktualisht shitet deri në 220 €, në varësi të cilësisë së grurin.
Zelensky u ankua te liderët e BE-së në Bruksel të enjten se drithi rus ishte ende i disponueshëm lirisht në bllok, por drithi i Ukrainës po vidhej gjithashtu, ndërsa fermerët polakë penguan hyrjen legjitime të grurit ukrainas në BE për tranzit në vendet e tjera, duke përfshirë kombet më të varfra në Afrikë dhe Azi.