Site icon Tetova Expres

(video) Faturat e ujit dhe të mbeturinave,BDI akuzon komunën , komuna mohon: Nëse merrni fatura të larta, dorëzoni ankesë

Bashkimi Demokratik për Integrim akuzon Komunën e Tetovës se e ka katërfishuar çmimin për mbledhjen e mbeturinave në qytet. Deputetja Rina Ajdari dha disa fatura që kanë arritur në Poroj dhe Xhepçisht si shembull se qytetarëve u janë faturuar edhe shërbimet që nuk i marrin në këto fshatra, si kanalizimi, ndërsa ujin e menaxhojnë vetë.

“Qytetarët do të paguajnë katërfishin e asaj që kanë paguar deri tani për mbeturinat. Këtë e dëshmojnë më së miri faktuarat që kanë arritur nga kompania SauberMacher tek qytetarët, kompani kjo e kontraktuar nga ana e Komunës së Tetovës për të menaxhuar me mbeturinat e qytetit. Siç edhe mund të shihni, qytetarët që deri tani kanë paguar nga 300 denarë, tani e tutje do të paguajnë nga 1300 denarë në muaj. Për një vit, një familje do të shpenzojë 200 euro më tepër falë vendimeve të padrejta të individëve që po udhëheqin me Komunën e Tetovës”, tha Rina Ajdari, deputete e BDI-së.

Nga komuna thonë se nuk do të ketë rritje në çmimin e faturave, ndërsa nëse qytetarët marrin fatura me çmime më të larta, të njëjtit mund t’i paraqesin rastet. Në këto fatura qytetarët do të paguajnë për menaxhim të mbeturinave, mirëmbajtja e hapësirave publike dhe gjelbërimi, furnizimi me ujë të pijshëm, kanalizimi i ujërave atmosferik dhe ujërave të zeza.

“Edhe përkundër faktit që është ndryshuar metodologjia e përllogaritjes, nuk ka rritje të çmimit për njësi. Gjithë qytetarët të cilët kanë pranuar fatura më të larta se muajt e kaluar, le të drejtohen te zyrat që ndodhet tek Tregu i Gjelbër në Tetovë si dhe në hyrje të fshatit Pallçisht, për të harmonizuar të dhënat e tyre që ndërmarrja të mund të bëj faturimin real. Nëse nuk do të jeni të kënaqur me përgjigjen e ndërmarrjes komunale, do të keni mundësi të drejtoheni edhe në zyrat e Komunës së Tetovës. Ne si komunë do të formojmë një komision të veçantë për të shqyrtuar çdo rast të paraqitur dhe do të gjejmë zgjidhje që do të jetë në interesin e qytetarit”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Komuna e Tetovës menaxhimin me mbeturinat ia ka dhënë kompanisë SauberMacher, ndërsa në muajin shkurt me vendim të Këshillit të Tetovës çmimi i ujit për pije u rrit, ndërsa kompania e re ndryshoi edhe përllogaritjen e mbeturinave. Përllogaritjen e çmimit e bëri për metër katror, ndërsa më herët ishte për kokë banori.TV KOHA

Advertisement

Exit mobile version