Kandidati për president i koalicionit VLEN, Arben Taravari, shpalosi emrat e bartësve të listave për deputetë që do të vijnë nga po ky koalicion. Siç njoftoi Taravari, të gjithë krerët e partive politike, Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike, do të jenë bartës të listave nëpër zona. Në zonën 1 do të jetë Izet Mexhiti, në zonën 2 Afrim Gashi ndërsa Bilall Kasami do t’i prijë listës në zonën 6. Në zonën pesë po bëhen anketa se cili do t’i prijë listës mirëpo kjo zone siç tha Taravari, do t’i takojë Aleancës për Shqiptarët.
“Bartës në zonën 1 është Izet Mexhiti, bartës në zonën 2 është Afrim Gashi, bartës në zonën 6 është Bilall Kasami. Në zonën 5 po bëjmë një anketë, do të jetë prej Aleancës për Shqiptarët besoj se për 3-4 ditë do të ju informojmë”, tha Arben Taravari.
Taravari thotë se VLEN nuk e ka problem qëndisjen e listave, ndryshe nga pushteti për të cilët thotë se atmosfera tek ata është ndryshe.
“Nuk ka atmosferë sikur në partitë e pushtetit, e shini, pajtohen s’pajtohen, bëjnë koalicionim nuk bëjnë koalicionim. Ne kemi vendosur. Pavarësisht emrave ne shkojmë para. Më 24 prill fitojmë, 8 maj përsëri”, deklaroi Arben Taravari.
Ky koment i Taravarit erdhi pasi BDI dhe Lëvizja Populli shtrënguan duart për koalicionim, por të njejtën ende nuk e kanë bërë ASH krahu i Selës dhe Partia Demokratike Europiane. Skender Rexhepi nga Lëvizja Populli nuk i di detajet si zhvillohen këto bisedime.
“Sinqerisht unë nuk e di mënyrën e bisedimeve si po bëhen atje. Në momentin që do arrihet një dakordim rreth bisedimeve, do të ulemi bashkë do e diskutojmë këtë çështje por megjithatë as që kam patur intencë të hulumtoj se çfarë janë bisedimet. Për mua më me rëndësi ka qenë dakordimi rreth platformës politike”, pohoi Skender Rexhepi – Kryetar i LP.
Siç njoftoi Taravari, çështja e koalicioneve është e qartë si para ashtu edhe pas zgjedhjeve. Ata vazhdojnë të jenë me qëndrimin se pa vazhdim të rrugës europiane të vendit, nuk ka koalicion. Sipas Taravarit, edhe përfaqësuesit partiak të VMRO-DPMNE-së edhe të LSDM-së, janë shprehur publikisht për vazhdimin e inkuadrimit të vendit në BE.