Të shtatë kandidatët për president kanë dorëzuar në KSHZ kandidaturat e tyre me nënshkrimet e duhura kurse KSHZ-ja në afat prej 24 orësh duhet të verifikojë vërtetësinë e tyre. Një ditë më parë kandidaturën me nënshkrimet e dorëzoi kandidatja e VMRO-DPMNE-së Gorgana Siljanovska, ajo e Të Majtës Biljana Vankovska dhe kandidati i BDI-së Bujar Osmani.Kurse dy ditë më herët, kandidaturën me firmat e ka dorëzuar Stevo Pendarovski, kreu i Karposhit Stevçe Jakimovski, kreu i Kumanovës Maksim Dimitrievski dhe kreu i ASH-së Arben Taravari.Përplasjet mes partive u përqendruan në mosdorëzimin e nënshkrimeve të qytetarëve nga kandidatja e VMRO-DPMNE-së Gordana Siljanovska. Sipas LSDM-së, ajo ka dorëzuar vetëm nënshkrimet e deputetëve që e mbështesin dhe jo edhe nënshkrimet nga qytetarët.“Siç duket, VMRO-DPMNE-ja, si i falsifikon anketat, dëshiron t’i manipulojë edhe nënshkrimet por kur e ka kuptuar se do të verifikohet ligjshmëria e secilit nënshkrim, nuk i kanë dorëzuar. Kjo është ndoshta hera e parë që VMRO-DPMNE-ja nuk ka mbledhur nënshkrimet për kandidatin e saj por kjo nuk është shumë e rëndësishme. Thelbësore është që as VMRO-DPMNE dhe as Gordana Siljanovska nuk e kanë mbështetjen e qytetarëve”, tha Bogdanka Kuzeska, LSDM.Po këtë gjë deklaruan edhe nga shtabi zgjedhor i Stevo Pendarovskit. Nga atje thonë se Siljanovska nuk është kandidate mbipartiake.VMRO-DPMNE-ja thotë se mbledhja e nënshkrimeve është çështje teknike kurse Siljanovska gëzon mbështetjen më të madhe nga qytetarët se çdo kandidat tjetër.“Paraqitja e kandidaturës është proces teknik, profesoresha Siljanovska Davkova historikisht pati daljen më të madhe të qytetarëve gjatë mbledhjes së nënshkrimeve për kandidaturën e saj dhe kjo është dhimbja më e madhe për Pendarovskin dhe LSD-në. Mbështetja e qytetarëve është e qartë dhe e padyshimtë dhe LSD dhe Pendarovski do të sigurohen për këtë më 24 prill dhe 8 maj. Ne rekomandojmë që Pendarovski, së paku në ditët e fundit të mandatit, të braktisë karakteristikën e tij më të fortë – thashethemet dhe thënien e gënjeshtrave në opinion”, thonë nga VMRO-DPMNE.Fushata për zgjedhjet presidenciale fillon më 4 prill kurse zgjedhjet janë më 24 prill. Rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale është më 8 maj, bashkë me zgjedhjet parlamentare.Votim për zgjedhje parlamentare nuk do të ketë në diasporë meqë nuk është arritur census prej të paktën 5355 të paraqiturve me të drejtë vote. Kurse votim për zgjedhjet presidenciale do të ketë edhe në diasporë. Rreth 3000 persona janë paraqitur kurse pas verifikimit të të drejtës së tyre, rreth 2600 persona do të mund të votojnë. Më shumë të paraqitur ka në Gjermani, Slloveni, SHBA, Zvicër, Kanadë, Austri, Itali dhe Australi. TV KOHA