Komuna e Tetovës përmes një njoftimi bën të ditur se pas ristrukturimit dhe dhënies me koncension të NPK “Tetova”-Tetovë, informon se nga ky muaj për herë të parë lëshohen faturat e Ndërmarrjes së re “Saubermacher”.
Në këto fatura janë të përfshira të gjitha shërbimet komunale, menaxhimi i mbeturinave komunale, mirëmbajtja e hapësirave publike dhe gjelbërimi, furnizimi me ujë të pijshëm, kanalizimi i ujërave atmosferik dhe ujërave të zeza.
“Gjithashtu ju njoftojmë se edhe përkundër faktit që është ndryshuar metodologjia e përllogaritjes, nuk ka rritje të çmimit për njësi. Gjithë qytetarët të cilët kanë pranuar fatura më të larta se muajt e kaluar, le të drejtohen te zyrat që ndodhet tek Tregu i Gjelbërt në Tetovë si dhe në hyrje të fshatit Pallçisht, për të harmonizuar të dhënat e tyre që ndërmarrja të mund të bëj fakturimin real. Nëse nuk do të jeni të kënaqur me përgjigjen e ndërmarrjes komunale, do të keni mundësi të drejtoheni edhe në zyrat e Komunës së Tetovës. Ne si komunë do të formojmë një komision të veçantë për të shqyrtuar çdo rast të paraqitur dhe do të gjejmë zgjidhje që do të jetë në interesin e qytetarit. Duke pasur parasysh situatën e rënduar financiare të NPK-së, e cila është akumuluar ndër vite, lusim qytetarët të bëjnë pagesën e rregullt të faturave për shërbimet komunale. Vetëm duke bashkëpunuar mund të kemi një ambient të pastër dhe furnizim të rregullt me ujë të pijshëm!”, njofton komuna e Tetovës. (INA)