Nga nesër, çerdhet do t’i pranojnë fëmijët me tre doza të vaksinës kundër kollës së mirë në 6 muajt e fundit, me kusht për rivaksinim pas 6 muajve nga vaksina e fundit. Ky vendim është bërë i ditur pas mbledhjes së Komisionit për Sëmundjet Infektive, të cilin e konfirmoi edhe ministri i Shëndetësisë Ilir Demiri. Sipas kontrolleve të kryera nga Inspektorati Sanitar Shëndetësor, deri më tani janë respektuar masat në çerdhe. Drejtoresha e inspektoratit, Renata Mlladenovska, vlerëson se nuk guxohet të lejohet rikthimi i sëmundjeve tashmë të zhdukura.
“Nga e hëna të fillojnë të pranojnë fëmijë që i kanë marrë tre dozat e vaksinës DTP. Mendoj se do të dalim nga kjo situatë për shkak se shoh se brenda kësaj jave kemi bashkëpunim shumë të mirë, durim për prindërit, do të duhet ta zgjidhim këtë gjendje sepse nuk është në rregull të kthejmë disa sëmundje ngjitëse, tashmë jemi në shekullin 21”, tha Renata Mlladenovska, drejtoreshë e ISSH-së.
Sipas të dhënave të fundit të Institutit për shëndet publik, gjatë javës së kaluar janë regjistruar 43 raste të reja të kollës së mirë, që është më pak krahasuar me javën e mëparshme kur u regjistruan 50 raste. Shumica e rasteve janë në Shkup.
“Për sa i përket shpërndarjes gjeografike, shumica e rasteve janë raportuar në kuadër të epidemisë në Shkup 39, dy raste janë raportuar në Tetovë dhe nga një në Gostivar dhe Manastir. Mosha e të prekurve lëvizë nga 0 deri në 40 vjeç. Numri më i madh i rasteve është nga grupmosha e fëmijëve nga 10-14 vjeç. Nga 50 rastet e reja, 5 raste janë shtruar në spital, 4 fëmijë nën moshën 1 vjeç dhe një në grupmoshën 1-4 vjeç”, thonë nga Institut për Shëndet Publik.
Me këto të dhëna rezulton se numri total i të prekurve me kollë të mirë është rreth 220.