Një hulumtim i Institutit për Demokraci dhe Analiza Ekonomike tregon se Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk e ka idenë se ku kanë përfunduar studentët që kanë marrë bursa për studime jashtë vendit. Edhe pse nga taksapaguesit janë paguar 22 milionë euro me kusht që pas përfundimit të shkollës bursisti të punojë të paktën dy vjet në një institucion shtetëror dhe të koontribojë në vend, Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk posedon të dhëna mbi statusin e 188 studentëve të cilët kanë përfituar nga bursa shtetërore (28% e studentëve të ciklit të parë dhe 75% e studentëve të ciklit të dytë).
IDEA
“Shqetësuese është mënyra se si MASh menaxhon me programën për bursa studimore jashtë vendit. Edhe pse një ndër kushtet të cilat pranohen nga bursistët është që pas studimeve të kthehen dhe të jetojnë në Maqedoninë e Veriut si dhe të punojnë në institucione nëse ekziston mundësia, Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk posedon të dhëna mbi statusin e 188 studentëve të cilët kanë përfituar nga bursa shtetërore. Pra nuk dihet se ku jetojnë dhe çfarë punojnë”.
IDEA supozon se studentët për të cilët MASh nuk posedon të dhëna jetojnë dhe punojnë jashtë shtetit.
Nga viti 2010 deri në vitin 2023 nga ky program kanë përfituar gjithësej 380 studentë, edhe atë 211 për studime deri diplomike dhe 169 për studime postdiplomike. Analizuar nga prizmi i përfaqësimit etnik, nga përfituesit e bursave deridiplomike vetëm 14% janë shqiptar, ndërsa nga ato postdiplomike 20% janë shqiptarë.
Të ndara sipa shtetit, të dhënat për studime deridiplomike tregojnë se numri më i madh i studentëve kanë zgjedhur Mbretërin e Bashkuar, edhe atë gjithsej 109 studentë/e, apo rreth 50.9% nga numri i përgjithshëm. Pas Mbretërisë së Bashkuar vie Holanda me 46 studentë/e apo rreth 21% nga numri i përgjithshëm, ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës studimet deridiplomike me bursë shtetërore i kanë ndjekur 40 studentë/e apo rreth 18.6% nga numri i përgjithshëm.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës mbulon pothuajse të gjitha shpenzimet e studentëve që studiojnë jashtë vendit. Në konkursin e fundit të shpallur nga ana e MASh për studime deridiplomike jashtë shtetit potencohet që përfituesit e bursës shtetërore i mbulohen këto shpenzime:
Shpenzimet për regjistrim me vlerë deri në 40.000 dollarë amerikanë në vit, një biletë avioni në fillim të studimeve dhe një bilet avioni pas përfundimit të studimeve apo një biletë avioni kthyese. Shpenzime për jetesë, të cilat variojnë sipas shtetit – p.sh. në Gjermani bursa mujore është 44.108 denarë apo rreth 717 euro. /SHENJA/