Nga opozita shqiptare sot kanë kritikuar deklaratat e kryeministrit teknik Talat Xhaferi, i cili në pyetjen se pse edhe pas 43 viteve, në njësinë speciale të policisë “Tigrat” nuk ka asnjë shqiptar, tha se pyetja duhet të adresohet në MPB, e jo në Qeveri. Nga VLEN thonë se BDI kishte dy ministra përgjegjës në MPB, mirëpo kjo çështje ende nuk është zgjedhur.
“Mburret duke shkuar nëpër zyra dhe pretendon kryeministrin e vërtet dhe të drejtën e tij për të vizituar gjithçka, mirëpo kur nuk i përshtatet dhe ose kur nuk ka autoritet të mjaftueshëm, Talat Xhaferi ia hedh topin dhe përgjegjësinë dikujt tjetër. Nëse kjo na qenka kompetencë e ministrisë, atëherë ku ishin ministrat tuaj si Agim Nuhiu e Zemri Qamili, të cilët kishin kompetencën e duhur për këtë çështje, por që nuk iu interesoi aspak çështja e njësisë speciale “Tigrat”, ku për shqiptarët dera vazhdon të mbetet e mbyllur”, tha Blerant Ramadani nga VLEN.
Edhe pas 43 viteve të themelimit ky njësit special i policisë ende nuk ka as edhe një shqiptar. Në arsyetimet e Ministris së Brendshme, për mospërfshirje të shqiptarëve vazhdimisht kanë thënë se konkursi hapet për të gjithë, por pranohen ata që i përmbushin kushtet.Njësiti Special Antiterrorist Tigrat është formuar në kuadër të MPB-së në vitin 1981. Përndryshe, këtë njësit në korrik të vitit 2021 e karakterizuan edhe skandalet me arrestim e pjesëtarëve të kësaj njësie mbi dyshimet për përdorim të drogës. Gjatë kontrolleve që kishte realizuar MPB-ja ishte konstatuar se njëri prej tyre është përdorues droge, ndërsa të tjerët kanë rezultuar negativ në substanca narkotike. Asokohë një numër i pjesëtarëve “Tigri” kishin kërkuar shfrytëzimin e pushimit mjekësor me
qëllim mos nënshtrimin e kontrolleve laboratorike mbi dyshimet për përdorim droge.