Opozitarja VMRO-DPMNE vazhdon të kërkojë përgjegjësi nga Drejtoria e Doganave në lidhje me mallin prej 1,200 kg, që u kap tre dite në autostradën Shkup-Petrovec, ku mendohet se ka telefona të shtrenjtë, lap top dhe aksesorë për telefona, përcjell TV21. Nga kjo parti pyesin se si malli e kishte kaluar kontrollin e doganës pa u deklaruar saktësisht se çfarë përmbante.
“Stefan Bogoev duhet të tregojë se si furgoni me telefona të shtrenjtë ka kaluar doganën dhe ka hyrë në Maqedoni, nëse nuk do të ishte reagimi i MPB-së, kontrabanda do të kalonte me sukses. Në doganën e Maqedonisë, e cila menaxhohet nga nënkryetari i LSD-së, Stefan Bogoev, është kontrabanduar jo një, as dy pako, por pako prej plot 1200 kg me telefona të shtrenjtë. Sipas matematikës së thjeshtë, telefonat e kontrabanduar në doganën e Bogoevit mund të kapin vlerën e mbi gjysmë milioni eurove. Bogoev duhet të tregojë nëse ka pasur dijeni për kontrabandën e telefonave dhe kush e ka lejuar atë?”, thonë nga VMRO-DPMNE.