Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka potencuar nevojën që Kosova të ketë raporte më të mira me Maqedoninë e Veriut, sidomos tani kur vendin udhëheqë një kryeministër shqiptar.
Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), në një intervistë për Klan Kosova, ka potencuar se Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë vende të vogla që kanë nevojë për miq të sinqertë, fqinjë, por edhe partnerë të tjerë ndërkombëtar.
Duke folur për raportet e kryeministrave Albin Kurti dhe Talat Xhaferi, Osmani ka thënë se nuk ka informata që ka pasur ndonjë takim mes Kurtit e Xhaferit.
Osmani ndër të tjera ka potencuar se në Maqedoninë e Veriut shërbimet e huaja kanë punuar që të përçajnë shqiptarët atje.
“Tendenca me shqiptarët në Maqedoni të Veriut ka qenë që ata të fragumentohen në parti qytetesh – çdo qytet ku jetojnë shqiptarët të ketë partinë dhe liderin e vet. Janë shfrytëzuar – kjo ka qenë ndikim edhe nga jashtë, i shërbimeve të ndryshme që kanë nxitur këtë”.
“Ka pasur një prirje të tillë, dhe unë e mbaj mend në 2011-tën çdo qytet kishte liderin dhe partinë e vete politike, dhe ata merreshin me nevojat lokale, ziheshin mes vete dhe askush nuk kishte një platformë kombëtare që do të përkthente vullnetin politiko-shqiptar në nivel kombëtar”.